Pamjet dramatike, vajza e mitur shpëtohet në momentet kur tenton të hidhet nga ura

 Pamjet dramatike, vajza e mitur shpëtohet në momentet kur tenton të hidhet nga ura

Një vajzë e mitur është shpëtuar nga vdekja e sigurt nga një grup adoleshentësh që e panë të tentonte vetëvrasjen.

E mitura ishte ngjitur në një urë dhe po bëhej gati të hidhej, por një adoleshent i quajtur Aleksandër, së bashku me miqtë e tij, kanë qenë në momentin dhe vendin e duhur.

“Kur ne e kaluam atë në rreth 5 metra , shoku im pa që vajza u ngrit mbi parmak dhe u bë gati të hidhej. Unë u ktheva dhe vrapova drejt saj, duke e kapur nga këmba. Më pas erdhën të tjerët dhe më ndihmuan”.-tha për median lokale adoleshenti që vrapoi dhe arriti t’i shpëtojë jetën të miturës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Kropotkin të Rusisë. Vajza shpëtoi për fije falë këtyre adoleshentëve, ndërsa policia mbërriti më pas në vendngjarje për të hetuar mbi shkaqet e kësaj tentative vetëvrasje nga një fëmijë.

Autoritetet atje thonë se tentativa e vetëvrasjes është frymëzuar nga një tendencë e frikshme, që ka gjetur tërren në rrjetin social TikTok, ku përdorues të rinj inkurajohen t’i japin fund jetës. Mediat e huaja raportojnë se dhjetëra nga këto video janë hequr nga rrjeti, për shkak se janë shikuar nga qindra mijëra përdorues.

Në një rast të ngjashëm po në Rusi, një 11 vjeçare gjeti vdekjen duke u hedhur nga dritarja. Kjo ‘murtajë’ virtuale i mori jetën po ashtu dhe një modeleje amerikane, e quajtur Dazharia Noyes. 18 vjeçarja vari veten në muajin shkurt pikërisht duke parë të tilla video shqetësuese në rrjet. Shumë prej këtyre videove ‘sfidojnë’ fëmijët për të kryer akte të rrezikshme, që shpesh kanë përfunduar në tragjedi.

Në Italinë fqinje, një grua 58 vjeçare u arrestua për nxitje të të tilla akteve, pasi një 10 vjeçare gjeti vdekjen në një sfidë vetë-asfiksimi të nisur nga gruaja.

Aplikacioni TikTok  nga ana e tij është zotuar që të aplikojë kufizime për përdoruesit më të vegjël se 16 vjeç, të cilët fatkeqësisht ‘joshen’ kollaj nga këto sfida që kanë pasoja katastrofike.