A duhet të shqetësohemi për linë e majmunëve? Ekspertët: Sëmundje e lehtë, s’ka nevojë për panik

 A duhet të shqetësohemi për linë e majmunëve? Ekspertët: Sëmundje e lehtë, s’ka nevojë për panik

Një sërë shtetesh të kontinentit Europian, tashmë e kanë konfirmuar ardhjen e virusit në vendet e tyre. Bëhet fjalë për linë e majmunëve, një virus që përgjithësisht shfaqet në numra në pjesën perëndimore të vendeve afrikane, veçanërisht në zonat ku ka pyje tropikale.

Ky virus ka dy variante kryesore, atë të Afrikës perëndimore dhe të Afrikës qendrore. Autoritetet dhe media britanike i kanë kushtuar veçanërisht vëmendje virusit, pasi në javët e fundit ka patur një përhapje të lisë së majmunëve.

Cilat janë simptomat

Simptomat e para përfshijnë një sërë shenjash, përfshi këtu :temperaturën, dhimbjet e kokës, enjtje, dhimbje të shpinës, kruarje të muskujve.

Pasi temperatura ulet, në trup mund të krijohen shenja skuqjeje, që fillimisht mund të dalin në fytyrë e më pas në pjesë të tjera të trupit. Në përgjithësi, skuqjet zhvillohen në pëllëmbët e duarve ose në shputat e këmbëve.

Pas kësaj, skuqja e lëkurës bëhet ekstremisht e kruajtshme e më tutje mund të formojë lloje puçrrash. Këto të fundit kur ikin, mund të lënë shenja. Infeksioni me sëmundjen e lisë së majmunëve, mund të zgjasë nga 14 deri në 21 ditë.

Si mund të marrësh sëmundjen

Lija e majmunëve mund të përhapet kur dikush është në kontakt të afërt me një person të infektuar. Virusi mund të hyjë në trup përmes lëkurës së dëmtuar, nga trakti respirativ ose nga sytë, goja e hunda. Sëmundja po ashtu mund të shpërndahet edhe nga kafshët e infektuara me to (majmunët, minjtë dhe ketrat) ose nga prekja e objekteve të kontaminuara me virusin.

Sa i rrezikshëm është virusi?

Shumica e rasteve janë të lehta dhe i ngjajnë lisë së shendëve. Sëmundja largohet vetvetiu pas disa javësh. Ndonjëherë, lija e majmunëve mund të jetë më e rëndë. Në Afrikë janë raportuar raste të vdekjeve si pasojë e kësaj sëmundje.

Siç shpjegoi për BBC Doktor Susan Hopkins, një prej krerëve të agjencisë për sigurinë shëndetësore, sëmundja është e lehtë e vetëkufizuese

“Lija e majmunëve është në thelb sëmundje e lehtë vetëkufizuese. Shumica e pacientëve e kalojnë duke marrë lëngje, ndonjë qetësues nëse është e nevojshme.”-shpjegoi ajo.

Pavarësisht përhapjes në disa vende të BE-së, në Shqipëri apo Kosovë kjo sëmundje nuk ka mbërritur. Epidemiologu Ilir Alimehmeti shpjegoi se nuk ka nevojë për panik, pasi popullata shqiptare është e vaksinuar për linë dhe njëkohësisht, virusi përhapet nga kontakti i ngushtë

“Është një sëmundje që e njohim prej të paktën 65 vjetësh. Transmetueshmëria është shumë e ulët dhe nuk meriton ndonjë interes të madh komunitar. Jemi popullatë e vaksinuar kundër lisë së njeriut, dhe ka një efektivitet prej 85%, pasi dy sëmundjet janë shumë të ngjashme”-shpjegoi epidemiologu në një prononcim për Klan.