Bregdeti i Shëngjinit u ‘zverdh’, si e shpjegojnë ekspertët fenomenin

 Bregdeti i Shëngjinit u ‘zverdh’, si e shpjegojnë ekspertët fenomenin

Ditën e djeshme në brigjet e plazhit të Shëngjinit është vërejtur nga shumë pushues prezenca e një pluhuri të verdhë në bregdet, një ngjarje e cila u vu në vëmendje të medias dhe në rrjetet sociale.

Për rastin në fjalë në terren kanë mbërritur ekspertët e mjedisit, të cilët kanë marrë mostra e presin përgjigje të analizave nga institucionet kompetente. Deri në daljen e analizave, nga të dhënat paraprake rezulton se nuk kemi të bëjmë me një ndotje që mund të ketë ardhur për shkak të hidrokarbureve apo hedhjes së lëndëve vajore në det.

Siç shpjegoi për median një prej ekspertëve në terren, gjasat janë që pluhuri i verdhë të jetë poleni apo pjalmi i pishave, të cilat ndodhen pranë bregdetit në këtë zonë të plazhit.

“Morëm mostrat e ujit e komunikuam me institucionet. Kemi pyetur për lëvizjet e anijeve në portin e Shëngjinit. Anija e fundit ka dalë të shtunën në orën 14:00. Bie varianti se ndotja mund të ketë ardhur nga anijet. Mendimi im personal është i tillë, pasi mora mostrat, mund të them se nuk ka aromë hidrokarbure, nuk është as vajore. Mendimi është se jemi në periudhën e lulëzimit të pishave dhe kjo lëndë mund të ketë ardhur nga pjalmi i pishave.”-shpjegoi ai.