“A ka ndonjë doktor në avion?” Doktoresha ndihmon gruan të sjellë në jetë foshnjen

 “A ka ndonjë doktor në avion?” Doktoresha ndihmon gruan të sjellë në jetë foshnjen

“Pashë një grumbull me njerëz që ishte mbledhur pranë një pacienti. Mendova mos kishte pësuar ndonjë atak kardiak. Teksa po afrohesha atje, pashë një grua që ishte e shtrirë në sedilje… ajo po lindte fëmijën”

Kështu ka deklaruar një doktoreshë nga Kanadaja, e cila ndihmoi në sjelljen në jetë të një fëmije, gjatë udhëtimit në avion.

Doktor Aisha Katib, profesoreshë në Universitetin e Torontos, kishte afro 1 orë që udhëtonte me avion nga Doha në Entebbe, kur dëgjoi një lajmërim nga stjuardesa, që pyeste “a kemi në bord ndonjë doktor?”.

Doktoresha shkoi tek gruaja dhe së bashku me ndihmën e dy kolegëve të tjerë, arriti të sjellë në jetë foshnjen.

“Pashë foshnjen dhe ajo ishte mirë… nëna po ashtu ishte mirë… aty i thashë nënës, përgëzime, u bëre me një vajzë”-kujton doktoresha.

Gruaja e cila lindi në avion foshnjen e saj, vendosi që t’i vendosë vajzës emrin ‘Aisha’, njëlloj si doktoresha që e solli në jetë. Doktoresha i dha varësen e saj të floririt vajzës, aty ku shkruhej në arabisht emri ‘Aisha’.

“Mendova ta dhuroj varësen si një shenjë e doktoreshës që ndihmoi në lindjen e kësaj vajze, plot 11 kilometra në ajër, teksa avioni fluturonte mbi lumin Nil”-tregoi doktoresha.