“Amanet fëmijët, unë nuk e kam të gjatë” Shikoni sesi i ndryshoi jeta jetimëve, falë shqiptarëve bamirës

 “Amanet fëmijët, unë nuk e kam të gjatë”  Shikoni sesi i ndryshoi jeta jetimëve, falë shqiptarëve bamirës

“O Mereme më thoshte, shiko kalamajtë e shtëpinë se unë nuk e kam të gjatë. Më thoshte bëju e fortë për kalamajtë e për pleqtë. Dha shpirt para se të hynte djali në dhomë.”

Këto janë fjalët e një nëne që vuajti shumë në jetë. I shoqi e la me dy jetimë në varfëri të madhe. Me Meremen jetojnë dhe prindërit e të shoqit të saj të ndjerë. Vuajtjet e tyre kanë qenë edhe më të rënda. Nga 4 djem që sollën në këtë botë, tre u shuan.

Familja me jetimë kërkoi ndihmën e shqiptarëve përmes emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët”. Elvis Naçi shkoi personalisht të takonte këtë familje të varfër, e veçanërisht dy jetimët e vegjël që pak muaj më parë kishin humbur të atin. Elvisi i premtoi familjes Peshku se brenda muajit ata do të jetonin në një banesë të rikonstruktuar nga fillimi.

Dhe ashtu ndodhi. Brenda muajit për këtë familje u ndërtuar nga e para një shtëpi e madhe me të gjitha kushtet për çiftin e të moshuarve, për Meremen dhe jetimët.

Nga ky gëzim i madh që u arrit falë bamirësve, kanë kaluar tashmë disa muaj. Por emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” ka mbërritur sërish tek familja Peshku, për të parë jetimët, të moshuarit dhe nënën e fëmijëve.

Tashmë dy jetimët nuk i gjen duke qarë, por duke bërë detyrat e shkollës. Madje njëri prej tyre na reciton dhe një poezi të bukur.

Ndiqeni këtu klipin:

Gjysh Islami na tregon se tashmë jeta e tyre ka ndryshuar si nata me ditën. Ai së bashku me të shoqen, Hajrien, kanë humbur shumë në këtë botë… por sërish sot i gjejmë të buzëqeshur, pasi vetëm falë shqiptarëve bamirës, ata shohin sesi rriten të lumtur dy fëmijët e djalit të tyre të ndjerë.

“Ishim në një shtëpi që po na zinte brenda. Kur erdhi dita që erdhi Elvisi, u kënaqa jashtë masa në bisedë me të, dhe me premtimin e tij që do të na bëhej një shtëpi e re. Një shtëpi me një sipërfaqe kaq të madhe edhe në ëndërr nuk e kisha parë… Nuk kisha mundësi për të ndërtuar shtëpinë, mirëpo me ndihmën që na dhatë ju si emision dhe me ndihmën e gjithë vëllazërisë shqiptare, ne i harruam të gjitha vuajtjet. Ne jemi shumë të kënaqur, ju falenderojmë përzemërsisht, shqiptarët, që i lumturuan këta dy jetimë të vegjël.”-tregon gjysh Islami.

“Aty (shtëpia e vjetër) ishte e pabanueshme. Avllinë e kthyem në shtëpi, aty u mblodhëm. Ishte e shkatërruar, fëmijët nuk flinin në dhomë sepse kishin frikë mos tavani i zinte poshtë. Ajo ditë (kur panë shtëpinë e re) ishte më e lumtura, kur fëmijët u futën brenda. Për këta fëmijë është bërë një mrekulli.”-tregon nënë Hajria.

Meremen e gjejmë me sytë të buzëqeshur. Humbi burrin prej sëmundjes së keqe, por sot ajo ka një vend ku mund të rrisë fëmijët, ashtu siç ia la amanet i shoqi i ndjerë.

“Vetëm shpirti ma di dhimbjen. Fëmijët s’kishin ku të rrinin, as ku të uleshin me bërë detyrat. Për ne ishte e pabesueshme që shtëpia do të bëhej brenda muajit. Por me të vërtetë ashtu u bë. Ju ruajtë Zoti. Për mua, ndryshoi jeta.”-thotë Meremja.