Akti heroik, babë e bir goditen 10 herë me thika teksa shpëtonin një të moshuar nga grabitësit

 Akti heroik, babë e bir goditen 10 herë me thika teksa shpëtonin një të moshuar nga grabitësit

Të gjitha mediat amerikane kanë përcjellë veprimin heroik të dy burrave, babë e bir, të cilët në tentativë për të mbrojtur një grua nga dy grabitës të armatosur, morën plagë serioze në trup.

Luis dhe Qazim Suljoviç (Louis e Cazim Suljovic), me origjinë shqiptare (nga Mali i Zi), ndërhynë kur dëgjuan ulërimat e një gruaje e cila po grabitej nga dy persona, fare pranë lokalit të tyre (piceri) në Queens, New York. Gruaja ishte qëlluar me thikë e më tutje rrëzuar në tokë.

Babë e bir u përleshën me dy grabitësit e gjatë përplasjes të dy morën plagë nga goditjet me thikë. Luisi, 38 vjeçar mori një goditje në kurriz dhe një prej mushkërive iu shpua. Babai i tij 68 vjeçar u godit plot 9 herë në trup gjatë përleshjes me agresorët.

Luisi dha një interviste nga dhoma e spitalit mbi të gjithë ngjarjen e tregoi se nuk do të hezitonte ta bënte sërish atë që bëri për të ndihmuar.

“Im atë dëgjoi të bërtiturat e ulërimat dhe e pa gruan teksa binte në tokë. Më thërriti duke më thënë duhet ta mbrojmë me çfarë të mundemi”-tregoi Luisi për NBC4.

“I arritëm ata (grabitësit) dhe u munduam t’i ndalojnë. Përgjatë kësaj kohe, pati një konflikt fizik, ku ata nisën të na godisnin edhe neve me thikë”-shpjegoi Luisi.

Piceria e familjes Suljoviç është e njohur në këtë zonë dhe shumë prej fqinjëve nuk janë habitur për mirësinë e guximin e Luisit e të atit.

“Ndihem e keqardhur sepse ata janë përherë këtu, janë njerëz shumë punëtorë… të dhemb kur sheh se çfarë po ndodh në këtë komunitet”-tregoi për NBC4 një fqinje.

Piceria e familjes Suljovic

“Ka shumë dhunë, ka shumë sulme ndaj të moshuarve e kjo është e tepërt”-tregoi më tutje Luisi.

Gruaja e cila u sulmua, me origjinë aziatike, ishte në moshën 61 vjeçare. Por Luisi tregoi për median amerikane se prej kohësh ka parë mjaftueshëm të tilla raste dhe se është mbushur kupa.

“S’mban më ujë kupa, dikush duhet të çohet e të bëjë diçka, nuk mund të lihet kjo”-përfundoi prononcimin e tij Luisi.

(Për të parë intervistën në video, klikoni këtu)

E në fakt, falë ndërhyrjes së 38 vjeçarit me të atin, policia mundi t’i arrestojë dy keqbërësit të cilët përballen me një sërë veprash penale. Pas mjekimit në spital, babë e bir ndodhen jashtë rrezikut për jetën e do të duhen kohë për t’u rikuperuar. Të afërm e familjarë hapën një fushatë donacionesh për ta, në kushtet kur Luisi me të atin s’do të mund të punojnë dot derisa të shërohen.

Reagimi i komunitetit ishte njëlloj i jashtëzakonshëm, si një shenjë falenderimi për aktin e tyre heroik. Policia e zonës i falenderoi përzemërsisht babë e bir si dhe u kujtoi qytetarëve se kjo nuk ishte hera e parë që familje dilte në ndihmë të njerëzve e komunitetit.

“Përgjatë pandemisë, piceria Louie mbeti e hapur dhe dhuroi vakte me ushqim për stafin e spitalit Elmhurst. Luisi me të atin janë në mesin e më të mirëve që mund të ofrojë New York-u. Ne i falenderojmë për trimërinë e tyre dhe i urojmë shërim sa më të shpejtë”-thuhej në njoftimin e policisë.

Babë e bir u shtruan pikërisht në të njëjtin spital ku përgjatë pandemisë kishin dhuruar vakte me ushqim për mjekët, infermierët e stafin.