Alarm për bombë në rektoratin e Universitetit të Prishtinës, çfarë thonë autoritetet

 Alarm për bombë në rektoratin e Universitetit të Prishtinës, çfarë thonë autoritetet

Photo credit: REL

Një mesazh kërcënues  për një bombë në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina”, ka ngritur në këmbë policinë e kryeqytetit në Kosovë.

Autoritetet kanë rrethuar oborrin e rektoratit si dhe kanë nisur kontrollet pas kërcënimit për një bombë. Në vendin e ngjarjes ka shkuar dhe njësia K-9 e qenve të stërvitur.

Policia njoftoi më tutje se kërcënimi ka ardhur rreth orës 16:00 përmes postës elektronike.

“Rreth orës 16:00, është pranuar  informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e  Universitetit “Hasan Prishtina”  në Prishtinë.  Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike.  Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”.

Në lidhje me ngjarjen, rektori i UP-së Naser  Sahiti dha një reagim për Radio Evropa e Lirë.

“Kemi pranuar një e-mail anonim që është vendosur një bombë dhe e kemi dërguar informacionin në polici dhe tani policia e kanë rrethuar vendin dhe janë duke e trajtuar rastin”, tha Sahiti.