Autobusi i Kosovës aksidentohet në Serbi! 16 persona u lënduan, rrëfimi i pasagjerit

 Autobusi i Kosovës aksidentohet në Serbi! 16 persona u lënduan, rrëfimi i pasagjerit

Për pak sa nuk është kthyer në tragjedi. Një autobus i Kosovës i cili ishte nisur drejt Gracit (Austri), është aksidentuar në orët e mbrëmjes (11 janar) në Serbi. Autobusi me pasagjerë ka dalë nga rruga e për pasojë është përmbysur.

Fatmirësisht, nuk ka patur viktima. Të paktën 16 persona kanë mbetur të lënduar. Sipas kompanisë turistike, aksidenti i ndodhur në Krushevc erdhi si shkak i vështirësive në rrugë dhe gricave të shumta, duke bërë që shoferi të humbë kontrollin e automjetit.

Pasagjerët që nuk morën asnjë lëndim kanë vijuar rrugën me një tjetër autobus që u erdhi në ndihmë, ndërsa të lënduarit u shtruan në spital. Asnjëri prej tyre nuk kishte lëndime serioze.

Siç njoftoi Ministria e Jashtme e Kosovës, në autobus udhëtonin 78 pasagjerë. 16 persona u dërguan në spital dhe më tutje kanë vijuar udhëtimin e tyre, me përjashtim të vetëm një pasagjereje.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), njofton opinion publik se qytetarët e aksidentuar në mbrëmjen e së martës në Krushevc të Serbisë, të cilët po udhëtonin transit me autobusë drejt Sllovenisë, kanë vazhduar udhëtimin e tyre pas marrjes së trajtimit mjekësor me përjashtim të një udhëtareje, e cila me vetëdëshirë është në pritje të transportit privat.

Nga komunikimi me Qendrën Spitalore ku ishte ofruar ndihma e parë, si dhe nga vizitat dhe bashkëbisedimi me të lënduar, në autobus me rastin e aksidentit kanë qenë 78 udhëtarë dhe prej tyre 16 kanë pranuar trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve. MPJD-ja falënderon autoritetet në vendin e ngjarjes për asistencën dhe trajtimin mjekësorë të të lënduarve”.-njoftoi Ministria.

Çfarë tha një prej pasagjerëve

Një prej personave që udhëtonte me autobusin e aksidentuar, dha një prononcim të shkurtër për Klan Kosovan në mbrëmje, teksa deklaroi se rruga nuk ka qenë fare e pastruar nga bora. Ai tregoi se autobusi ka qenë i mbushur plot e ka patur në bord edhe fëmijë e një person me aftësi të kufizuara.

“Të gjithë kemi qenë duke fjetur në atë moment. Mes nesh ka pasur edhe fëmijë dhe një person me aftësi të kufizuara, por të gjithë jemi mobilizuar për t’i ndihmuar njëri-tjetrit dhe të gjithë jemi mirë”, deklaroi mes tjerash ai.