Në mesin e varfërisë, vajza 7 vjeçe po shuhej! Si ia ndryshuan jetën shqiptarët familjes Paça

 Në mesin e varfërisë, vajza 7 vjeçe po shuhej! Si ia ndryshuan jetën shqiptarët familjes Paça

Jetonin në një fshat të largët në Has. Jeta e tyre, një dimër i përjetshëm. Lulzime Paça me tre fëmijët e saj vuanin çdo ditë të jetës. Të tre fëmijët, vuanin nga kistet në veshka, ndërsa Lediona, më e vogla, rezultoi të kishte dhe diabet.

Gjendja e saj shëndetësore ishte shumë e rëndë. Kjo nënë, e mbetur e ve dhe në varfëri të madhe, i kërkoi ndihmë emisionit “Shqitarët për Shqiptarët”, me shpresën se të paktën, shqiptarët do ta ndihmonin për të bijën e sëmurë, e cila kishte nevojë që të vizitohej periodikisht.

“Edhe hasmit nuk ia uroj këtë jetë… është shumë e vështirë që të lypë fëmija e të mos kesh çfarë të japësh. Mua më është mërzitur jeta, por vetëm për fëmijët jetoj.”-tregonte për emisionin ”Shqiptarët për Shqiptarët” Lulzime Paça.

E pas lotëve e lutjeve të kësaj nëne, bamirësi kontribuan diçka nga vetja për ta parë këtë nënë e fëmijët e saj të vuajtur në dritë, larg të ftohtit të shtëpisë së tyre të vjetër e varfërisë mbytëse. Elvisi e Fatma Naçi udhëtuan drejt fshatit në Has, ku dhe e morën familjen për ta larguar përgjithmonë nga ai vend i largët. Familja Paça mbërriti në Tiranë, në një banesë të re, e cila falë kontributeve e zemrave bamirëse të shqiptarëve, u bë shtëpia e tyre e re.

Por si është sot Lediona, vajza e cila pak kohë më parë s’mund të ngrihej dot nga krevati për shkak të sëmundjes?

Emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” e vizitoi sërish familjen.

Nëna: As e kam patur idenë që do të vinim të jetonim në Tiranë. Kurrë nuk e kisha menduar. Vuatjet e atjeshme… pa shtëpi, pa ujë, pa drita. Në dimër detyroheshim t’i mbulonim me llastik dritaret. Për të fjetur nuk kishim kushte. Në tokë flinim. Ka qenë tepër e vështirë.

Kur ishim atje në Has, vizitat për vajzën i bënin njëherë në 6 muaj. Tani kemi mundësi që t’i bëjmë çdo tre muaj vizita e analiza vajzës. Falë Fondacioni Firdeus, emisionit ‘Shqiptarët për Shqiptarët”, jeta ime ka ndryshuar totalisht. Unë dua t’ju them, Zoti ju shpërbleftë, Zoti i ruajtë ata që na kanë ndihmuar.