“Banorë” të godinave të braktisura dekada më parë… në ishullin e “pushtuar” nga arinjtë polarë

 “Banorë” të godinave të braktisura dekada më parë… në ishullin e “pushtuar” nga arinjtë polarë

Fotografi Dmitry Kokh ka arritur të shkrepë një seri fotosh me të vërtetë të pazakonta në një vend të largët e të ftohtë në ekstremin verior të Rusisë. Imazhet u morën falë një droni me zhurmë të ulët në një ishull të vogël të quajtur Kolyuchin, që dikur përdorej nga sovjetikët si stacion meteorologjik. Por qëkur u braktis, duket se ‘pronarët’ e rinj të godinave atje, janë bërë arinjtë polarë.

Foto e shkeputur nga Google Maps/ Ishulli ndodhet ne ekstremin veri-lindor te Rusise

Fotografi shpjegoi se çfarë pa, në një artikull të publikuar në “The Guardian”

“Një ditë nisi një mot i keq e kapiteni i anijes sonë iu afrua një ishulli shumë të vogël, Kolyuchin, për t’u strehuar aty. Ishulli është i njohur për stacionin e motit i cili operonte në epokën sovjetike. Edhe pse stacioni u mbyll në vitet ’90, fshati i braktisur qëndron ende në këmbë në ishull.

Por papritur, vumë re lëvizje në disa prej dritareve të stacionit. Dikush nxorri një palë dylbi e pa kokat e disa arinjve polarë. Ishte shumë e rrezikshme për ne që të uleshim në ishull atë ditë, kësisoj arrita të bëj disa foto duke përdorur një dron që bën fare pak zhurmë. Pas disa kohësh, arinjtë praktikisht e injoruan zhurmën e dronit.”-tregoi fotografi, i cili u habit si shumë të pranishëm, nga numri i madh i arinjve që ishin ‘strehuar’ tek godina që dikur shërbente si stacion moti.

“Më vonë pyeta një ndër ekspertët e arinjve polarë, Anatoly Kochnev, se çfarë i shtynte këto kafshë të hynin nëpër këto ndërtesa. Biologu më tregoi se arinjtë polarë janë shumë kuriozë për nga natyra dhe së dyti, këto kafshë tradicionalisht janë gjuajtur nga njerëzit e futja e tyre nëpër streha ka qenë një mënyrë për t’u mbrojtur.

Por më pas ai më tregoi dhe diçka akoma më interesante. Rezulton se arinjtë shumë rrallë dalin në këtë ishull në të tillë numra. Askush nuk e di pse, por një në 9 vite, akujt qëndrojnë pranë bregut në verë. Kësisoj arinjtë nuk udhëtojnë më në veri për të gjetur akullin, por qëndrojnë në stacionin e motit.”-shpjegoi fotografi.