Bilanci i aksidentit tragjik: 3 viktima e 2 të plagosur rëndë! Mes të lënduarve fëmija 10 vjeç

 Bilanci i aksidentit tragjik: 3 viktima e 2 të plagosur rëndë! Mes të lënduarve fëmija 10 vjeç

Tre viktima dhe dy të plagosur rëndë. Mes të lënduarve një fëmijë 10 vjeçar. Ky është bilanci tragjik i aksidentit që ndodhi këtë mëngjes në aksin rrugor Elbasan- Librazhd. Dy automjete u përplasën mes tyre, ndërsa makina me 5 persona humbi kontrollin, doli nga rruga dhe u rrëzua nga lartësia e drejt e në lumin Shkumbin.

Autoritetet shpjeguan se tre persona u nxorrën të pajetë nga fuoristrada e rrëzuar në lumë, ndërsa dy të tjerë u transportuan drejt spitalit në gjendje të rëndë shëndetësore. Të plagosurit janë një fëmijë 10 vjeçar dhe një vajzë 20 vjeçe.

Viktimat janë të afërm e familjarë mes tyre, konkretisht: E. K., 52 vjeç, E. K., 34 vjeçe dhe një 18 vjeçar me inicialet E. S.

“Më datë 01.02.2022, rreth orës 09:10, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, automjeti tip “Ford”, me drejtues shtetasin S. GJ., 32 vjeç, banues në fshatin Floq, Librazhd, është përplasur me mjetin tip “Benz”, i cili ka dalë nga rruga dhe ka rënë në lumin Shkumbin.

Shërbimet e Policisë, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, bashkë me shërbimet e zjarrfikëses.

Si pasojë e aksidentit janë plagosur rëndë shtetasit A. H., rreth 20 vjeçe dhe E. K., rreth 10 vjeç, të cilat janë transportuar menjëherë në spital, për ndihmë mjeksore.

Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe të punonjësve të Policisë, në kushte shumë të vështira, pas disa orësh u bë e mundur që të nxirren pa jetë nga mjeti që kishte rënë në mes të lumit, shtetasit E. K., 52 vjeç, E. K., 34 vjeçe dhe E. S., 18 vjeç.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.”-njoftoi policia.