Çifti shqiptar ndërron jetë në Nju Jork, lë pas dy fëmijë! Detajet e përcjella në median amerikane

 Çifti shqiptar ndërron jetë në Nju Jork, lë pas dy fëmijë! Detajet e përcjella në median amerikane

Një tragjedi ka ndodhur në Bronks të Nju Jorkut, atje ku një çift shqiptarësh kanë gjetur vdekjen duke rënë nga lartësia e katit të 6-të të banesës së tyre. Trupat e burrit 35 vjeçar dhe të shoqes 28 vjeçare u gjetën poshtë godinës së banimit rreth orës 09:15 të së shtunës.

Autoritetet shpjeguan se po hetohen të gjitha pistat, përfshi vetëflijimin e dyfishtë të prindërve të dy fëmijëve apo edhe vrasjen e më tutje vetëvrasjen e 35 vjeçarit.

“Duket se ata mund të jenë hedhur nga kati i gjashtë. Burri mund të ketë patur probleme me shëndetin mendor” sqaroi një oficer policie për median amerikane.

Autoritetet kanë marrë në pyetje banorët e punonjësit në godinë, të cilët kanë raportuar se të premten, 35 vjeçari ishte shfaqur i nervozuar. Ditën e tragjedisë, ishte në fakt dhe ditëlindja e 35 vjeçarit shqiptar. Media amerikane nuk i ka ifentifikuar me emra të ndjerët, ndërsa në median shqiptare tashmë, është identifikuar 35 vjeçari, i cili quhej Florind Belliu.

“Dëgjova disa zhurma dhe kur pashë jashtë, shikova dy trupa… dukej që të dy kishin vdekur. U shokova. Kishte aq shumë gjak”-tregoi një prej banorëve të godinës për Nypost.

Viktimat ishin një “çifti i qetë” që “shihte punën e tyre”-shtoi më tutje banori i godinës.

“Është shumë e trishtë, mendimet e mia shkojnë për fëmijët e tyre”-përfundoi ai.

Frank Mussumeci, një punëtor ndërtimi, shpjegoi se një koleg i tij i punës po pinte kafe pranë zonës ku ndodhi ngjarja tragjike.

“Ai dëgjoi një zhurmë të fortë, si një copë e madhe hekuri që ra në tokë. Më pas ai dëgjoi ulërimat e një fëmije i cili thoshte “Mama, mama”. Pa atje dhe shikoi dy trupa”-shpjegoi punëtori.

Çifti kishte ardhur për të jetuar në këtë godinë afro 3 muaj më parë, së bashku me dy djemtë e tyre të vegjël. Pas tragjedisë, nëna e 35 vjeçarit u pa në skenën e ngjarjes, e mbuluar nga dhimbja e lotët.

Gruaja e adminstratorit të pallatit, e quajtur Shadie Perkaj, tregoi se dëgjoi një zhurmë të ngjashme me “bam”.

“Mendova se mos po ziheshin. Burri që po pastronte plehrat thirri policinë dhe pas pesë minutash ata erdhën. Çifti është shqiptar, si ne. I kam parë përherë duke sjellë gjëra që blinin për shtëpinë.”-tregoi Perkaj, e cila shtoi se ndonjëherë 35 vjeçari dukej “i irrituar”, ndërsa e shoqja e “heshtur”.

“Sot ishte ditëlindja e tij, më tha nëna e 35 vjeçarit. Ai kishte folur në mëngjes me nënën”-shtoi Perkaj.

Një tjetër punonjës i godinës, Harold Johnson, tregoi se ishte takuar me çiftin të premten dhe i kishte pyetur nëse gjithçka ishte mirë.

“Pashë që sytë e tij ishin hapur, sikur ai të ishte i mërzitur, por ai nuk më përgjigj. Tërhoqi të shoqen dhe vazhdoi me rrugën.”-rrëfeu punonjësi, i cili kujtoi dhe një element të një bisede me 35 vjeçarin, i cili i kishte kërkuar disa kohë më parë që të prenin hekurat e vendosur në dritare.

“Unë i thashë, po ju keni dy fëmijë, s’mund t’i pres mbrojtëset e dritares”-tha Johnson.

Nj tjetër media amerikane, raportoi se një prej fqinjëve kishte vënë re një çantë në shkallët e emergjencës.

“Dikush tha se kishte ulërima”-tha Steve Iurilli, 63 vjeçar. “Pashë një çantë tek shkallët e emergjencës, mbase ajo ka dashur të largohej”-tregoi ai.

“Fëmijët e tyre ishin shumë të mirë, dy djem të vegjël. Ata po luanin me qenin tim dy ditë më parë. Prindërit po ashtu ishin të sjellshëm. Gruaja ishte shumë e sjellshme, burri ishte pak i ftohtë, por në tërësi një familje e mirë.”-tha Xhovani Resto për Daily News.