Lufta me kohën për t’i shpëtuar jetën 10 minatorëve të mbetur të bllokuar

 Lufta me kohën për t’i shpëtuar jetën 10 minatorëve të mbetur të bllokuar

Dhjetë minatorë kanë mbetur të bllokuar në tunelet e një miniere të hapur pak muaj më parë, ndërsa ekipet e shpëtimit kanë nisur punën për t’i nxjerrë prej aty.

Ngjarja ka ndodhur në Coahuila të Meksikës, dhe prej mëse tre ditësh, ekipet e shpëtimit po mundohen të nxjerrin të gjallë minatorët.

Mbi 300 ushtarë e personel tjetër i janë bashkuar orvatjes, përfshi këtu edhe 6 zhytës të forcave speciale.

Miniera u hap në janar dhe nuk kishte asnjë ankesë apo shkelje sipas Ministrit të Punës atje. Ndërkohë BBC ka përcjellë rrëfimin e një ish minatori, i cili tregon se kujdesi për sigurinë ka qenë i dobët.

“Ata bëjnë përherë si të duan, jam shumë i keqardhur. Por si ky rasti i tanimësh edhe në raste të tjera, ka dukshëm mungesa të sigurisë dhe kushteve të punës.”-tha ish minatori.

Ndërkohë nëna e një prej minatorëve të mbetur të bllokuar, mes lotëve tregoi se nuk di gjë për fatin e të birit.

“Im bir është aty brenda”-tha gruaja në mesin e lotëve.

Një tjetër minator, i cili ka të vëllanë të mbetur të bllokuar, tregoi se në një moment një galeri është shembur dhe minatorët janë detyruar të vrapojnë për të shpëtuar jetën. 5 minatorë kanë mundur të shpëtojnë pasi kanë qenë pranë një dalje, ndërsa të tjerët janë ende në kërkim.