Pas një beteje të gjatë ligjore, 12 vjeçarit në Britani i hiqen aparaturat! Rrëfimi prekës i nënës

 Pas një beteje të gjatë ligjore, 12 vjeçarit në Britani i hiqen aparaturat! Rrëfimi prekës i nënës

Aparaturat që e mbanin ende në këtë botë u fikën ditën e djeshme, ndërsa pas një beteje të gjatë ligjore të familjes, 12 vjeçari Arçi Batersbi, u shua.

Familja e 12 vjeçarit nuk mundi të fitojë dot betejën ligjore të nisur disa javë më parë, për të mbajtur nën kujdesin e aparaturave djalin e tyre. Mes lotëve dhe zërit që i dridhej, nëna e 12 vjeçarit tregoi se i biri ndërroi jetë, pasi aparaturat iu hoqën nga spitali.

“Ishte një djalë i vogël e i bukur, luftoi deri në fund…”-tha nëna mes lotëve, ndërsa në krah kishte të bijën dhe familjarë.

Historia e 12 vjeçarit tërhoqi vëmendje të madhe në mediat e huaja, fill pas betejës ligjore që u zhvillua nga familja e tij, për ta mbajtur vogëlushin në aparatura. 12 vjeçari u gjet pa shenja jete në shtëpinë e tij në prill. Me t’u shtruar në spital, mjekët e vendosën menjëherë në aparatura, ndërsa 12 vjeçari qëndroi në koma për një periudhë të gjatë.

Nga vëzhgimet e mjekëve dhe çfarë raportoi media britanike, dyshimet mbeten se 12 vjeçari ishte vetëmbytur, në orvatje për të kryer një sfidë nëpër rrjetet sociale.

Mjekët ishin të bindur se ai kishte pësuar dëmtime të pakthyeshme në tru dhe i sugjeruan familjes që ta hiqnin nga aparaturat, pasi besonin se Arçi nuk do të kthehej kurrë në jetë. Familja e nëna e 12 vjeçarit mendonte ndryshe e kësisoj çështja shkoi në gjykatë. Gjykatatat britanike vendosën në favor të gjykimit të mjekëve, ndërsa familja kërkoi apelim të çështjes disa herë, përfshi edhe kërkesat drejtuar gjykatës europiane për të drejtat e njeriut.

Në përfundim, as gjykata e të drejtave të njeriut nuk pranoi të ndërhynte, duke lënë kësisoj në fuqi vendimet e drejtësisë britanike.

12 vjeçari ndërroi jetën në mesditë, rreth orës 12: 15.

Gjatë momentit kur u hoqën aparaturat, e gjithë familja e vogëlushit ishte e pranishme në shtratin e tij.