“Derdh lot kur i lexoj” Profesori që ruajti përjetimet e nxënësve, 800 ese për luftën në Kosovë

 “Derdh lot kur i lexoj” Profesori që ruajti përjetimet e nxënësve, 800 ese për luftën në Kosovë

“Ishte 14 prill, në orën 2 të mëngjesit përjetuam një bombardim të fuqishëm”

Kështu shkruhet në njërën prej 800 eseve, që ky profesor i dalë tashmë në pension, ruan me fanatizëm. Shumica e eseve janë shkruar nga nxënës që përjetuan luftën e Kosovës, mbi 2 dekada më parë.

Profesori i pensionuar i psikologjisë Hajzer Ahmeti, i ruan këto ese në shtëpinë e tij në Skënderaj, me shpresën se tregime të tilla janë të vlefshme për t’u lexuar nga të gjithë. Siç tregon profesori, qëllimi i tij i fundëm është që këto ese t’ja japë të gjithë studentëve që dikur i shkruajtën këto shkrime, që ata të mund t’ja lexojnë fëmijëve të tyre, pasi vuajtjet dhe e shkuara nuk duhen harruar.

Qëllimi ka qenë t’i ruaj jo 20 vjet, por ndoshta edhe shumë vite të tjera, që fëmijët e fëmijëve të nxënësve të mi, kur t’ua çoj me postë këto ese, t’ja lexojnë fëmijëve të tyre vuajtjet që përjetuan. Janë aq të vlefshme, të nxjerrin lot kur i lexon.”-tregon për Klan Kosova profesori.

E përveçse eseve që përshkruajnë luftën, 72 vjeçari ruan edhe ato shkrime që u bënë më 17 shkurt, ditën kur Kosova fitoi pavarësinë.

“Nuk është nevoja me mbajt mend vetëm ditët e këqija të luftës. Pas shpalljes së pavarësisë, iu luta nxënësve që të më shkruanin ese e të mi falnin mua”

Ahmeti punoi për 40 vite në arsim dhe mendon t’i japë këto punime përkohësisht për t’u përpiluar në një libër të vetëm, ndërsa më tutje do t’i shpërndajë tek ‘pronarët’ e tyre.