Donin t’i dëbonin në ditën e Fiter Bajramit, qindra skocezë detyrojnë policinë të lirojë dy emigrantët

 Donin t’i dëbonin në ditën e Fiter Bajramit, qindra skocezë detyrojnë policinë të lirojë dy emigrantët

Një turmë prej rreth qindra qytetarësh kanë ndaluar autoritetet e zyrës së emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët po tentonin të largonin nga vendi dy burra azilkërkues.

Qindra banorë në Glasgou (Skoci) rrethuan automjetin, duke bërë që furgoni të ‘ngecte’ në mes të rrugës. Madje njëri prej protestuesve hyri poshtë furgonit që mjeti të mos kishte mundësi të lëvizte. Protesta nisi në mëngjes dhe vijoi për orë të tëra, derisa policia vendosi të ndërhyjë duke liruar dy azilkërkuesit.

Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, në festën e Fiter Bajramit në një zonë ku ka popullsi muslimane. E shumë prej protestuesve ishin muslimanë dhe u ndien thellësisht të ofenduar që në ditën e Fiter Bajramit, autoritetet vijnë në orët e para të mëngjesit për të marrë forcërisht dy emigrantë. Dy burrat ishin me origjinë nga India.

Pas lirimit të tyre, ata u shoqëruan në xhaminë e lagjes. Pinar Aksu, përfaqësuese e një shoqate atje, u shpreh se “ata (autoritetet) u ngatërruan me qytetin e gabuar”.

“Ishte një protestë e njerëzve, të cilët u mblodhën bashkë në shenjë solidariteti. Që të ndodhë kjo për Fiter Bajram, është shumë e shëmtuar. Nuk është koinçidencë që po ndodh kjo orvatje në momentin që po bëhet gati një ligj i ri për emigracionin. I kemi kërkuar po ashtu dhe policisë shpjegime për përfshirjen e tyre, për sqarimin e këtyre praktikave të nxjerres me dhunë në orët e para të mëngjesit”-tha ajo për ‘The Guardian”

Pas orës 17:00 policia e Skocisë lëshoi një deklaratë duke thënë se kishte vendosur të lironte burrat  me argumentin  “për të mbrojtur sigurinë, shëndetin publik dhe mirëqenien e atyre që ishin të përfshirë në protesta”.

E duket se reagimi i shpejtë i qytetarëve në këtë zonë i ka kapur të ‘papërgatitur’ autoritetet. Për median “The Scotsman”, shumë qytetarë që ishin prezentë në protestë, kanë dhënë përshtypjet e tyre mbi tubimin që ndaloi autoritetet e emigrimit dhe policinë bashkë.

“Erdha në orën e pushimit. Kishte shumë oficerë policie atje. Mu desh të shkoja në punë dhe erdha pak para lirimit të tyre. Kishte aq shumë njerëz”-tha një banor.

“Po hapja dyqanin dhe pashë furgonin. Menjëherë disa nga banorët këtu e klientët u çuan për ta ndaluar. U mblodhën të gjithë aty. Ata djem janë klient të mi, ata janë njerëzit tanë, komshijte tanë dhe njerëzit në Glasgou nuk e duan më këtë (deportimin). Ata janë njerëzit tanë.”-tha një grua,