“Dritat e Veriut” na tregojnë se përse ka jetë në Tokë

 “Dritat e Veriut” na tregojnë se përse ka jetë në Tokë

Shumëkush nga ne ka parë foto apo video të ‘dritave të veriut’. Ky spektakël për syrin, në fakt është veçse një efekt i ‘bashkëveprimit’ mes erës diellore dhe fushës magnetike të tokës.

BBC i ka kushtuar një video këtij spektakli, ndërsa fizikanti Brian Cox, shpjegon në terma të thjeshtë se çfarë janë “dritat e veriut”

“150 milionë kilometra në këtë drejtim (lindje) është Dielli. Një reaktor gjigand fuzioni nuklear. Mund të ‘fusësh’ 1 milionë Toka në të. Temperatura në sipërfaqen e Diellit është veçse 6000 gradë celcius, por atmosfera e Diellit, e njohur si korona e tij, kap shifra në 1 milionë gradë celcius. Kjo do të thotë se atmosfera është në formë plazme, një ‘supë’ me grimca të ngarkuara elektrike. Disa prej këtyre grimcave, lëvizin aq shpejt saqë mund të ‘arratisen’, në atë që ne e njohim si erë diellore.

Ato e arrijnë Tokën duke udhëtuar në disa qindra kilometra për sekondë dhe nëse ne (Toka) nuk do të ishim të mbrojtur, këto grimca do ta shkatërronin atmosferën tonë.”-thotë fizikanti.

Por kur dhe si dalin në pah ‘dritat e veriut’?

“E kur dielli perëndon tutje horizontit, ka netë, që ajo forcë mbrojtëse del në pah. Grimcat nga era diellore godasin fushën magnetike të Tokës.

Fusha magnetike e Tokës ‘streçohet’ dhe më pas shkon sërish në vend, njëlloj si një llastik. Ky fenomen bën që të gjitha ato grimca të ngarkuara të akselerohen drejt poleve të tokës. Më pas ndodh ajo që shohim në pole.

Grimcat godasin molekula oksigjeni e nitrogjeni në atmosferën e tokës, duke bërë që këto molekula të ‘lëshojnë’ ngjyra karakteristike. Dhe nëse e mendoni, ky është i vetmi rast kur ne shohim fushën magnetike të Tokës.”-shpjegon Brian Cox.

Fusha magnetike e Tokës, është në fakt një ndër arsyet kryesore se përse ka jetë në Tokë. Por si krijohet kjo fushë magnetike?

“Kjo është një ndër arsyet se përse jeta në Tokë vijon të persistojë prej 4 miliardë vitesh. Në një sens të caktuar, këto drita tregojnë arsyen se përse ti dhe unë ekzistojmë.

Është fusha magnetike e Tokës ajo që na mbron nga shpërthimet e erës diellore. Disa mijëra kilometra poshtë këmbëve tuaja, në pjesën e jashtme të bërthamës së tokës, ka një masë të pamatë hekuri të shkrirë.

Rrymat e konveksionit bëjnë që hekuri i shkrirë të ngrihet lart, ndërsa rrotullimi i tokës bën që masa të kryejë lëvizje qarkuese. Kjo ‘rrjedhë’ spirale është ‘dinamo’ e tokës. Është kjo ‘dinamo’ që gjeneron fushën magnetike të tokës.

Kjo fushë magnetike ngrihet lart, jo vetëm në sipërfaqen e tokës, por edhe në atmosferë, duke krijuar kësisoj mburojën tonë”-thotë fizikanti.