Duke pirë ujë nga dora e nënës… historia pas një fotoje të shkrepur në kohën e luftës në Kosovë

 Duke pirë ujë nga dora e nënës… historia pas një fotoje të shkrepur në kohën e luftës në Kosovë

Të shumta kanë qenë fotot, e momentet e kapura në video, të cilat vunë përpara syve të botës gjenocidin e vuajtjet më të cilat u  përballën shqiptarët e Kosovës gjatë luftës.

Mijëra jetë të humbura, luftëtarë të rënë për atdheun e tyre e qindra mijëra të tjerë të detyruar të braktisin shtëpitë.

Si rasti i kësaj fotoje, shkrepur nga një fotograf britanik rreth vitit ’98. Fotoja e bërë nga fotografi Gary Roberts u bë në njërën prej kampeve në Maqedoninë e Veriut ku u strehuan mijëra shqiptarë të Kosovës.

Fotoja kap një moment prekës. Një vajzë e vogël 2 vjeçare, e cila pi ujë nga dora e nënës. E këtë përvjetor të 14-të të Pavarësisë së Kosovës, vajza që shikoni në foto, Leonora Kozmaqi, ka dhënë një prononcim për median në Kosovë, duke treguar disa detaje.

“Përmes rrjetit social, personi në fjalë që ka shkrepur fotografinë më shkruan dhe priste një konfirmim nëse isha unë. E kam parë veten… Fola me mamin dhe e konfirmoi foton, këtu jam unë.

Fotografi më tha Leonora faleminderit për përgjigjen… më vjen shumë mirë që të kam gjetur dhe që je shëndoshë e mirë. Më tregoi se përmes kësaj fotoje një fondacion ku marrin pjesë 21 organizata bamirëse, e kanë bërë një fushatë ku janë mbledhur afro 1 milionë euro. Nuk e di se për çfarë intervali bëhet fjalë, por fotografi me tregoi se ishte kjo foto që i shtyu organizatat që të mblidhnin para, që kanë shkuar për kampet e refugjatëve tonë.”-shpjegoi Leonora për Klan Kosova.