Dy fëmijë humbin jetën prej zjarrit në banesë, rrëfimi i familjarit: Ishin në gjumë, shtëpia u kaplua nga flakët

 Dy fëmijë humbin jetën prej zjarrit në banesë, rrëfimi i familjarit: Ishin në gjumë, shtëpia u kaplua nga flakët

Dy fëmijë të moshave 10 e 13 vjeç, kanë ndërruar jetë këtë të mërkurë si pasojë e një zjarri që ka përfshirë banesën.

Ngjarja tragjike ka ndodhur në Ujz të Gjakovës, ndërsa si pasojë e flakëve tre persona të tjerë janë lënduar.

Një prej tre personave të lënduar ka qenë prindi i njërit prej viktimave (vogëlushët ishin kushërinj mes tyre). Ky i fundit ka marrë lëndime serioze teksa ka tentuar të shpëtojë fëmijët.

“Janë tre persona të lënduar, njëri prej tyre është në gjendje më të rëndë. Po, është prindi i njërit prej fëmijëve që kanë vdekë, është lënduar gjatë përpjekjeve për t’i shpëtu fëmijët. Sipas informacioneve të lënduarit kanë pësuar vjellje dhe prerje nga xhamat dhe drunjtë që kanë rënë si pasojë e zjarrit”, tha për median drejtori i policisë për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta.

Gjakove

Në lidhje me ngjarjen  ka folur dhe një prej familjarëve të viktimave.  Ai u shpreh në një prononcim për median, se zjarri ka qenë i madh dhe ka përfshirë shpejt të gjithë shtëpinë.

“Rasti ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit. Dikush prej familjarëve e ka parë tymin dhe nuk kemi pasë mo shans mu afru aty, pasi shtëpia u kaplua nga flakët. Rryma e ka shkaktuar tjetër çka s’ka pasë… Fëmijët kanë qenë në gjumë, zjarri ka qenë shumë i madh”

Autoritetet e zjarrfikësit kanë nisur punën për të zbuluar shkakun e zjarrit. Deri më tani dyshohet për një shkëndijë elektrike.