E ëma vdiq duke mbrojtur dy vajzat që kishte nën kujdes, rrëfimi përlotës i të birit

 E ëma vdiq duke mbrojtur dy vajzat që kishte nën kujdes, rrëfimi përlotës i të birit

“Nëse do ta kisha përballë tani, do t’i thoja faleminderit. Faleminderit nënë, që na mësove të mirën, altruizmin.”

Këto janë fjalët e një djali që nuk e ka nënën. Ajo e dha jetën e saj duke mbrojtur disa fëmijë nga dhuna e pakontrolluar e një të riu me probleme mendore.

Historia e mëposhtme e përcjellë në median italiane, na çon disa muaj më parë, kur një grua 46 vjeçare mbrojti me jetën e saj fëmijët, ndërsa i biri i viktimës, ka folur për ngjarjen së fundmi.

Si ndodhi ngjarja

46 vjeçarja Teresa Scavelli kujdesej për një fëmijë (si babysitter) në St. Gallen në Zvicër. Po priste vajzën 6 vjeçare që të kthehej nga shkolla. E pa vajzën teksa zbriste nga autobusi i shkollës me një tjetër shoqe të klasës, ndërsa prapa tyre vëreu një burrë që po i ndiqte. Gruaja del me shpejtësi nga shtëpia dhe i merr me vete vajzat, duke i mbajtur para vetes. Ajo ende nuk e dinte se 22 vjeçari që po ndiqte fëmijët, ishte me probleme të shëndetit mendor. 46 vjeçarja futet në shtëpi me dy vajzat, ndërsa prapa tyre hyn dhe agresori. Teresa merr një tigan nga kuzhina për t’u mbrojtur me të, por i riu ia merr nga dora dhe nis ta qëllojë dhjetëra herë në kokë.

Oficerët e policisë vijnë shpejt në vendngjarje dhe kur hyjnë brenda shtëpisë gjejnë agresorin që po e godiste ende gruan. Tentojnë ta largojnë e më pas e qëllojnë. 22 vjeçari ndërron jetë në shtëpi, ndërsa gruaja humb jetën në spital. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, goditjet që kishte marrë në kokë i morën jetën.

Rrëfimi i të birit të Teresës

Djali i Teresës, duke folur për median italiane, rrëfeu se e ëma ishte një njeri i mrekullueshëm dhe e përkushtuar. Xhuzepe, 32 vjeçar, tregoi se nëna u largua 4 vite më parë nga Italia për të punuar në Zvicër, pasi të ardhurat që fitonte në vendlindje ishin fare të pakta. Djali i të ndjerës tregoi se jeton me vëllain, motrën e babanë, teksa kujton momentet kur shkoi ta takojë nënën, dy javë përpara tragjedisë.

“Gjesti i saj ishte heroik, vuri jetën e saj përpara. Mami ishte kështu dhe ky është mësimi i saj për të gjithë ne, dashuria për tjetrin.

Pata fatin të shkojë ta takoj dy javë para se të vritej. Më kujtohet se ishte një ditë me diell, që bashkë shkuam për një xhiro afër liqenit, folëm, biseduam dhe morëm nga një akullore… gjëra pra normale, por që për mua duken të jashtëzakonshme, sa herë që shoh foton e fundit që bëmë bashkë, pikërisht pranë atij liqeni”-tha 32 vjeçari.