E marta, bilanc ‘lufte’ në Tiranë! Policia jep detajet mbi përleshjet me tifozeritë e Romës e Feynord

 E marta, bilanc ‘lufte’ në Tiranë! Policia jep detajet mbi përleshjet me tifozeritë e Romës e Feynord

Shumë rrugë të Tiranës u kthyen në një ‘fushëbetejë’ mes tifozerive të Romës, Feynord-it dhe policisë.

Policia e shtetit doli me një bilanc këtë të mërkurës, teksa në darkë pritet të zhvillohet ndeshja mes Romës e Feynord-it. Bilanci i të martës, duket si bilanci i një beteje.

Siç raportoi policia, mbrëmjen e djeshme janë ndaluar e shoqëruar nëpër komisariate të paktën 60 tifozë (48 të Romës e 12 të Feynord). Disa prej tifozëve kanë përfunduar edhe në spital, e përjashtim këtu nuk bëjnë as qytetarët shqiptarë, të cilët kanë rënë pre e sulmeve të tifozerive.

Policia saktësoi se “në qendrat spitalore, gjatës natës së shkuar janë drejtuar për ndihmë mjekësore 10 shtetas, nga të cilët 5 shtetas shqiptarë, 3 italianë dhe 2 holandezë, të cilët pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë larguar.”

Jo të pakta kanë qenë lëndimet në forcat e policisë së shtetit. Oficerët janë goditur me shkopinj e gurë, e madje njëri është qëlluar me thikë nga një tifoz. Siç njoftuan autoritetet:

“Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave finaliste, janë plagosur 19 punonjës të Policisë së Shtetit në krye të detyrës, njëri prej të cilëve është plagosur me armë të ftohtë (thikë), të cilëve u është dhënë ndihma e menjëhershme mjekësore, si dhe janë dëmtuar edhe katër automjete shërbimi të Policisë së Shtetit.”

Veç të lënduarve, këtë të mërkurë disa tifozë janë ‘deportuar’.

“Sot në orët e para të mëngjesit janë “deportuar” nëpërmjet Portit të Durrësit, 80 tifozë huliganë italianë, për të cilët përveç largimit të tyre, do të ndiqen procedurat përkatëse me Federatën Italiane të Futbollit, për përjashtimin nga ambientet sportive dhe do të merren masa të tjera në zbatim të ligjit.”-njoftoi policia.