E mbajnë në krah për 10 km! Policia e alpinistët kosovarë shpëtojnë turistin që u lëndua në bjeshkët e Tropojës
Një turist i huaj (nga Bullgaria) po eksploronte zonën e Lekbibajt në Tropojë kur aksidentalisht është lënduar tek shkëmbinjtë. Turisti kishte vështirësi në ecje dhe ka lajmëruar ambasadën e cila më tutje ka vënë në dijeni autoritetet.
Autoritetet policore janë ndihmuar nga banorët e zonës si dhe një grup alpinistësh nga Kosova, që i janë bashkuar orvatjeve për t’i ardhur në ndihmë turistit.
Pas disa orësh kërkime, turisti 46 vjeçar është gjetur dhe mbajtur në krahë nga policia e alpinistët e Kosovës për afro 10 km ecje deri në zonën ku kishte zbritur helikopteri. Më tutje turisti është dërguar në spitalin e Tropojës për kurim.
Njoftimi i policisë:
Policia e Tropojës dhe disa alpinistë nga Kosova i vijnë në ndihmë turistit bullgar. Një turist 46-vjeçar nga Bullgaria, duke eksploruar zonën e Lekbibaj, është dëmtuar duke ecur mbi disa shkëmbinj në bjeshkët e Vranit.
46-vjeçari ka njoftuar në ambasadë dhe ka kërkuar ndihmë, pasi nuk ecte dot për shkak të dëmtimeve të marra. Menjëherë kanë nisur kërkimet nga shërbimet e Policisë, të cilët janë ndihmuar edhe nga disa aplinistë nga Kosova. Pas disa orë kërkimesh u bë e mundur gjetja e turistit bullgar, i cili është trasportuar rreth 10 kilometër në krahë, nga shërbimet e Policisë, së bashku me aplinistët, deri në vendin ku është bërë e mundur ulja e helikopterit në Lekbibaj.
Më pas turisti është transportuar me helikopter në spitalin e Tropojë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Turisti bullgar ka falënderuar Policinë dhe alpinistët kosovarë që i erdhën në ndihmë duke i shpëtuar jetën. Policia e Tropojës gjen rastin të falënderojë edhe njëherë alpinistët nga Kosova, të cilët bashkëpunuan me punonjësit e Policisë, për t’i ardhur në ndihmë turistit nga Bullgaria.