E vetmja në Kosovë që udhëheq një drejtori rajonale policie, rrëfimi i kolonel Afërdita Mikullovcit

 E vetmja në Kosovë që udhëheq një drejtori rajonale policie, rrëfimi i kolonel Afërdita Mikullovcit

“Me uniformë në terren kam dalë më nëntor 1999. Kurrë nuk më ka shkuar mendja të tërhiqem. Uniformën e kam përjetuar shumë.”

Këto janë fjalët e një gruaje që prej mëse 20 vitesh punon si oficere e policisë. Me gradën kolonele, Afërdita Mikullovci është e vetmja grua në republikën e Kosovës, e cila drejton një drejtori rajonale të policisë, pikërisht atë të Mitrovicës së Jugut. Nën komandën e saj ka mbi 580 oficerë policie, shumica e të cilëve janë burra.

“Nuk i takoj asaj gjeneratës që thotë ‘gjithmonë kam ëndërruar të jem polic/e. Në të kaluarën nuk kam qenë ithtare e uniformës. Një prej përvojave më të dhimbshme që kam kaluar, ka qenë vrasja e kolegut Enver Zymberi (2011).”-tregon kolonele Mikullovci në një rrëfim për REL.

Afërdita tregon se vetë ka lindur në veri të Mitrovicës, jo shumë larg sheshit që sot mban emrin “Car Lazari”.

“Për 23 vite më ka rënë të jetoj në këtë shtëpi, këtë lagje, derisa është djegë në kohën e luftës. Më tutje kemi lëvizur për të jetuar në Mitrovicën e jugut.”-kujton Afërdita.