“Faleminderit që na shpëtuat” Zjarrfikësit përloten kur lexojnë letrën e 8 vjeçarit në Mitrovicë

 “Faleminderit që na shpëtuat” Zjarrfikësit përloten kur lexojnë letrën e 8 vjeçarit në Mitrovicë

Ishte ora 1 e natës kur zjarrfikësit në stacionin e Mitrovicës morën thirrjen, në një banesë provate disakatëshe kishte rënë zjarri. Zjarrfikësit nisen menjëherë atje dhe arrijnë të shuajnë shpejt flakët.

Zjarrfikësi Bekim Mehmeti tregoi ngjarjen në një prononcim për T7

“Morëm thirrje në orën 1:15 pas mesnatës, për një zjarr. Kemi intervenu menjëherë. Shkuam në vendin e ngjarjes dhe atje kanë qenë tre familje. Një fëmijë doli në derë, diku tek 16 vjeç. E pyetëm a ka njeri brenda, “po, janë familja” na tha. Atje ishin në gjumë të gjithë. Në katin e dytë kishte shpërthyer zjarri. Dy familje ishin në katin e dytë, duke fjetur.”-tregoi Mehmeti.

Zjarrfikësit kanë ndërhyrë dhe kanë shuar zjarrin, pa i dhënë mundësin që të përhapej në të gjithë shtëpinë e të shkaktonte tragjedi. Për të mos i zgjuar nga gjumi fëmijët, me qëllim që të mos pësojnë tronditje emocionale, zjarrfikësit janë kujdesur të punojnë shpejt.

“Fëmijët i morëm e i kthyem në krahë, i mbuluam fytyrën që ata të mos shqetësohen apo të tremben, se pajisjet tona mund t’i trembnin.”-tregoi zjarrfikësit Bekim Mehmeti.

Aidi, 8 vjeç, nuk e kuptoi që në banesë kishte rënë zjarri. Ai qe në gjumë, teksa zjarrfikësit kishin shuar flakët. Me të marrë vesh ngjarjen të nesërmen, ai i shkroi këtë letër zjarrfikësve dhe shkoi vetë ta dorëzojë.

Unë jam Aidi, 8 vjeçar,

Me këtë letër desha t’ju përshëndes të gjithë ju, superheronjtë e Mitrovicës, zjarrfikësit

Unë isha në gjumë dhe mendova se po ju ëndërroja, por ju ishit me të vërtetë ata që na shpëtuat neve dhe shtëpinë tonë

Ju falenderoj dhe ju jemi mirënjohës gjithmonë

Me dashuri, nga Aidi

“Kur kena lexu letrën, mujtëm me e lexu deri në gjysëm, s’kena mujt, ishte moment shumë prekës për ne, ishte shumë emocionuese, nuk di t’ju them”-tha zjarrfikësi për T7.