“Fliste me veten” New York, shqiptari rrëfen përballjen me agresorin që qëlloi mbi 10 persona në tren

 “Fliste me veten” New York, shqiptari rrëfen përballjen me agresorin që qëlloi mbi 10 persona në tren

Një i ri me origjinë shqiptare ka shpjeguar për “The New York Post” momentet kur është përballur me personin që nisi të qëllojë në drejtim të pasagjerëve të një treni në Brooklyn, duke plagosur 10 persona e lënduar 19 të tjerë.

Fitim Gjeloshi shpjegoi se ishte në trenin N rreth orës 08:30 në Brooklyn kur vuri re për herë të parë agresorin. Ky i fundit sipas Gjeloshit po fliste me veten dhe ishte ulur në një cep.

“E pashë dhe mendova me veten, kishte disa kohë që ai fliste me veten e thashë se me siguri ky njeri duhet të jetë i droguar.”

Treni vijonte rrugën e në një moment ka ndaluar në stacionin e rrugës së 59-të. Në këtë kohë, i dyshuari nis të rrëmojë tek disa çanta që kishte me vete. Gjeloshi shpjegoi se fillimisht ai nxorri një maskë kundragaz nga çanta.

“Kur treni po arrinte rrugën e 36-të, ndaluam për 5 minuta. Ai nxjerr një maskë gazi në një prej çantave të tij. Më pas hap një bombul gazi e thotë “ups, faji im”. Më tutje nxjerr prej çantës një sopatë dhe e hedh në tokë e më pas nxjerr armën e nis të qëllojë”-tregoi Fitim Gjeloshi.

I riu tregoi se fillimisht i dyshuari e drejtoi armën tek ai, por mrekullisht plumbi nuk e zuri.

“Një prej djemve që ishte pranë meje mori një plumb. Nisi të thërrasë “ndihmë, ndihmë”. I thashë dikujt aty ta ndihmojë, u hodha prapa një prej sediljeve e nisa të godas derën me shkelma (për ta hapur)”-shpjegoi i riu.

Në kohën që treni ndaloi në stacionin e radhës, vagoni ishte i mbushur me të lënduar. Siç shpjeguan më vonë autoritetet, 10 persona u qëlluan dhe 19 të tjerë u lënduan nga 30 të shtënat që kreu agresori i armatosur. Fatmirësisht asnjë prej të plagosurve nuk kishte lëndime që do t’i rrezikojnë jetën.

Agresori mundi të largohet para mbërritjes së oficerëve të policisë, të cilët gjetën në vendin e ngjarjes një armë pistoletë glock me karikatorë, dy bomba gazi të pashpërthyera e një sopatë. Hetuesit mendojnë se agresorit i është bllokuar arma e më pas ky i fundit ka braktisur vendin e ngjarjes.