Kur lindi peshonte 453 gr… pas 19 muajsh në spital, kjo vajzë kthehet në krahët e prindërve

 Kur lindi peshonte 453 gr… pas 19 muajsh në spital, kjo vajzë kthehet në krahët e prindërve

Kur kjo vajzë erdhi në këtë botë, peshonte diçka më shumë se 453 gramë. Mushkëritë e saj ende nuk ishin zhvilluar mirë dhe mjekët e vendosën nën aparatura për ta mbajtur gjallë. 19 muaj vuajtje kaluan prindërit e saj, derisa më në fund, për mrekulli, vajza e tyre la spitalin në gjendje të mirë shëndetësore.

Bradi Foster lindi në gusht të vitit 2020 përmes një operimi. Nëna e vogëluses ishte në javën e 25 të shtatzanisë dhe mjekët u detyruan të kryejnë ndërhyrje pasi një pjesë e placentës u këput papritur.

Një muaj pas lindjes, mjekët kishin pak shpresa se Bradi do të mund t’i mbijetonte lindjes së parakohshme.

“Doktorët në atë kohë na thanë se vajza nuk kishte më shumë se 40% mundësi për mbijetesë. Mushkëritë e vajzës nuk ishin zhvilluar plotësisht dhe ajo kishte nevojë për asistencë vetëm për të frymuar.”-kujton Xhejms Foster, babai i vogëlushes.

Prindërit pritën 9 ditë në ankth e vetëm pas kësaj kohe mundën të mbajnë në krahë vajzën e tyre për pak momente. Por sprova e tyre nuk kishte përfunduar me kaq. Foshnja hyri në një operim për zemrën dhe u përball me një sërë infeksionesh në mushkëri e gjetkë.

“Ishin ditë të frikshme… vajza ime nuk ishte më e madhe se duart tona”-kujton nëna e foshnjes, Darlina

Bradi qëndroi për 19 muaj në spital e për shkak të pandemisë, prindërve nuk u lejohej të qëndronin gjatë me të bijën.

“Ishte gjëja më e vështirë të lija shtëpinë e fëmijët e mi për të takuar vajzën. Fëmijët më thonin kur do ta shohim motrën. Ndonjëherë s’mund ta prekja time bijë, s’mund ta merrja në krahë sepse ishte shumë e sëmurë”-kujton Darlina

Në janar të 2021, vajza u sëmurë aq shumë saqë mjekët u detyruan ta fusin në një lloj inkubatori (ECMO) për të shpëtuar zemrën e mushkëritë e saj. Po atë ditë, babai i nënës së vajzës ndërroi jetë.

“M’u desh t’i thoja lamtumirë babit… ndërkohë që ishim të tmerruar se po vinte dita edhe për vajzën”-kujton Darlina.

Gjatë ceremonisë së varrimit të të atit, Darlina merr një telefonatë nga spitali, që e njofton se fatmirësisht, gjendja e vajzës së saj ishte stabilizuar. Që nga ai moment, gjendja shëndetësorë e Bradit u përmirësua me kalimin e kohës, derisa erdhi momenti që prindërit ta marrin në shtëpi.

“Më në fund munda të shoh time bijë të buzëqeshë, të hapë sytë, të kërkojë të luajë”-tregoi nëna.

Në qershor të vitit 2021 Bradi u transferua në një tjetër spital e për 9 muaj qëndroi aty për rehabilitim. Vajzës i është vendosur një tub për ta ndihmuar për frymëmarrjen, ndërsa prindërit treguan se shpresojnë që edhe kjo sprovë të përfundojë së shpejti.

“Ende nuk e besoj sesa e lumtur është vajza. Pas gjithë atyre që ka kaluar, ajo mbeti një shpirt i bukur e i lumtur”-rrëfeu babai i vajzës.

Burimi: GMA/ Përktheu e përshtati me disa shkurtime: Shqiptaretpershqiptaret.info