“Hanim lastarët e ferrave e hardhive për të shuar urinë” Rrëfimi i një shqiptari që i mbijetoi internimit

 “Hanim lastarët e ferrave e hardhive për të shuar urinë” Rrëfimi i një shqiptari që i mbijetoi internimit

Kampi i Krujës dhe ai i Beratit janë dy kampet e para të internimit të diktaturës komuniste në Shqipëri. Në to dërgoheshin përgjithësisht shqiptarë të jugut, familje të shpallura ‘armike’, përfshi këtu gra, të moshuar e fëmijë.

Më poshtë po sjellim rrëfimin e Fatos Zdravës, që një pjesë të fëmijërisë e kaloi në kampin e Krujës në fund të viteve ’40. Ai u internua me të gjithë familjen në Krujë në vitin 1945. I morën nga Tirana

 “Familja jonë u internua, e gjitha: babai, gjyshja, nëna, motra, unë, një vëlla dhe halla”, tregoi Zdrava, në librin “Zërat e kujtesës”, botim i Institutit të Studimeve për Pasojat dhe Krimet e Komunizmit, me intervistuese Luljeta Lleshanakun.

 “Shumë persona vdiqën nga uria siç vdiq edhe Lemania, vajza e hallës. Vdiq edhe vajza e Hedije Petritit. Por, aty kishte edhe shumë të tjerë: Bardhyl Petriti, Myfaret Petriti, Gramoz Petriti, Petrit Petriti që ishte më i vogli…Ka qenë edhe Ramiz, Fejzi dhe Eqerem Petriti, të cilët ishin nga Berati. Këtyre iu ishte arratisur i ati dhe bashkëshorti i Hedijes.

Në kamp, më pas, ka ardhur edhe familja e Etem Nikoçit, Zinka dhe Kadri Nikoçi. Këta ishin nga Petova e Fierit. Etemi u ekzekutua, ndërsa gruan me fëmijët i internuan. Këtyre iu vdiqën tre fëmijë në kamp, një vajzë pesë vjeç, një djalë 3 vjeç dhe një 7 vjeç. Gjëja më kriminale, dhe më e shëmtuar, që bënin komunistët ishte kur, ata, i varrosnin thjesht duke i mbuluar me rrasa druri”.

Kujtoj se ishim shumë të uritur. Ferrat lëshonin lastarë të hollë dhe ne, si fëmijë, i pastronim nga gjembat dhe i hanim. Ose ishin lastarët e hardhive që sadopak na ulnin urinë. Po, ashtu, hanim edhe lakra të egra, pa vaj. I zienim në kusi. Në të ftohtin e madh, ne, ngroheshim me frymën e njëri tjetrit, aq shumë persona ishim. Në verë ishte shumë vapë dhe në dimër shumë ftohtë”.

Nuk i bëhej vonë njeriu për ne. Atje na kishin dërguar për të na masakruar. Aty vdisnin njerëzit nga i ftohti dhe uria. Prandaj na kishin sjellë, për të vuajtur, dhe të mos linim trashëgimtarë”.-kujtonte Zdrava.

Fatosi arriti t’i mbijetojë kampit dhe në vitin ’48 u dërgua në Breshuk të Lushnjes, ku kishte edhe familje të tjera të burgosura. Fatosi ishte 13 vjeç në këtë kohë dhe nisi punë në digën e Vlashukut. Aty punoi dhe babai i tij në vitin 51’ kur doli nga burgu. Në vitin ’79 babai i Fatosit u arrestua sërish dhe ndërroi jetë në tetor, në hetuesi. Asnjë prej familjarëve nuk iu dha e drejta e shkollimit. Madje në vitin 1979 kur në Shqipëri mbërriti Nikita Hrushovi, Fatosin e futën në burg për ta mbajtur ‘nën mbikqyrje’

“Nga viti 1945, deri më 1991, kemi ndërruar 37 qendra banimi. Patëm tre palë shtëpi, por asnjë nuk gëzuam dot. Ndërkohë, kemi fjetur me lopë dhe kuaj

Burimi: Kujto.al