“Gërmimi më i madh i kohëve të fundit” Një varrezë antike zbulohet në parkun e Apolonisë

 “Gërmimi më i madh i kohëve të fundit”  Një varrezë antike zbulohet në parkun e Apolonisë

Një varrezë antike dhe një furrë për prodhimin e qeramikës, janë vetëm disa nga gjetjet e fundit në murin rrethues të Apolonisë Antike. Zbulimet janë bërë javët e fundit teksa atje po ndërtohet ‘Bypass-it’ i Apolonisë.

Puna për ndërtimin e rrugës ka ndaluar, ndërsa arkeologët deri më tani kanë nxjerrë në sipërfaqe një sërë varrezash, që mendohen se i përkasin shekullit të tretë të erës sonë.

Në sitin arkeologjik, pranë mureve rrethues të Apolonisë antike, është gjetur po ashtu dhe një furrë për prodhimin e qeramikës.

Nga vendngjarja, arkeologu Neritan Ceka tha në një prononcim për median se jemi përballë gërmimit më të madh të kohëve të fundit dhe se rruga do të devijohet nga gjurma e re arkeologjike. Ceka tha se zbulimi arkeologjik tregon se Apolonia është zhvilluar dhe për 700 vite të tjera jashtë mureve të qytetit antik.

“Gërmimi më i madh i kohëve të fundit , që po realizohet në kuadër të projektit të ARRSH-së për Bypass-in e Apolonisë. Jemi në murin rrethues të Apolonisë dhe çdo gjë që kanë zbuluar arkeologët ndodhet jashtë këtij muri. Pra jo brenda mureve rrethuese, por Apolonia antike zhvillohej dhe jashtë mureve rrethuese.

Në fillim me furrat për prodhimin e qeramikës, ku kemi një nga kanalet kryesorë që është zbuluar nga arkeologët. Kanë zbuluar urat dhe ajo që duket pas janë strukturat e urave , që janë ndërtuar në fillim të shekullit të katërt para erës sonë dhe e dyta në shekullin e tretë. Pra kemi distancë 700 vjet .

Nëse nuk do të kishin vepruar arkeologët, do ishte një histori e mbyllur. Si rrjedhim është marrë vendimi që në këtë pikë të spostohet rruga, të bëhet një hark. Pjesa tjetër do mbetet e zbuluar për t’i treguar vizitorëve që Apolonia është zhvilluar për 700 vjet dhe jashtë mureve të saj.”-tha Neritan Ceka.