Gjendet i pajetë 14 vjeçari në Seman, banorët tregojnë për historinë e dhimbshme të familjes

 Gjendet i pajetë 14 vjeçari në Seman, banorët tregojnë për historinë e dhimbshme të familjes

Kishte shkuar për peshkim pranë Semanit, e më pas për t’u larë në lumë. Por që prej orës 19:00 të ditës së djeshme, nuk dihej më asgjë për fatin e tij. Për 14 vjeçarin me inicialet E.S nisën kërkimet që ditën e djeshme. Autoritetet dhe polumbarët mundën ta gjejnë trupin e 14 vjeçarit. I mituri ishte mbytur.

“Në vijim të informacionit paraprak të ditës së djeshme, për një 14-vjeçar që ishte futur për tu larë në lumin Seman, ju bëjmë me dije se pas kërkimeve nga shërbimet e Stacionit të Policisë Roskovec dhe polumbarët e RENEA-s, sot rreth orës 10:40, u bë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së mbytur, shtetasit E. S., 14 vjeç.”-njoftoi sot policia.

Banorët e zonës po ashtu ndihmuan në kërkimet për 14 vjeçarin dhe treguan për median se familja e të ndjerit e kishte përjetuar njëherë këtë tragjedi, me një tjetër fëmijë të mitur.

“Humbi një djalë 14-vjeç, është lajmeruar dje mbasdite policia, është fëmija i dytë i kësaj familje që është mbytur, para 12 vitesh. Një familje me shumë probleme, është një dramë, dhimbje shumë e madhe për atë nënë. Ishin 9 fëmijë. Policia ka qenë e pranishme. Edhe sot kanë ardhur që me natë për të ndërhyrë. Deri në këto momente, asgjë, janë gjetur edhe shapakt dhe rrobat. Edhe fëmija tjetër kështu është mbytur. Ai ishte shumë i vogël, në klasë të parë.”-tha një banorë e zonës

“Janë shumë hallexhinj, në punë dhe hall të tyre. Babai i ka lënë ka 4 vjet. Edhe një vëlla i është mbytur para 10 vitesh këtu. Këta me ndihmë ekonomike rrojnë, tani ia kanë ndërprerë fare. Kanaçe mblidhnin. Shumë çun i mirë ishte djali. E shikoja që gjuante këtu peshk. Nuk e kanë gjetur ende, do ta ketë marrë rryma.”-tregoi një burrë në moshë.

“Familje e mirë dhe punëtore, fukarenj. Ai çuni punoi disa ditë te unë, ishte djalë i mirë, i zgjuar dhe punëtor. Ka qepë duke kapur peshk. Do ketë rënë ose mund të jetë hedhur për tu larë, ai e di. Duhet që shteti të vejë dorë në këtë familje se janë më të varfrit. Nuk ngopin dot barkun me bukë. Kjo familja është më e varfra në zonë. Merrnin më parë ndihmë nga shteti, por tani nuk marrin.”-tregoi një tjetër banor.