Gjirokastër, as urdhri i mbrojtjes nuk e ndalon 52 vjeçarin të qëllojë të shoqen me të bijën

 Gjirokastër, as urdhri i mbrojtjes nuk e ndalon 52 vjeçarin të qëllojë të shoqen me të bijën

Një 52 vjeçar është arrestuar këtë të hënë nga policia në Gjirokastër, pasi ka qëlluar të shoqen dhe fëmijën. Pavarësisht urdhrit të mbrojtjes, burri me inicialet A.D ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses, duke mos kursyer as vajzën e tij të mitur.

“Specialistët e seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin A. D., 52 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij të mitur dhe bashkëjetueses së tij, shtetases M. Ll., si dhe ka thyer urdhrin e mbrojtjes.”- njoftoi policia.

Vrasjet e dhuna ndaj gruas vijojnë të mbeten një ndër plagët më të rënda të shoqërisë sonë. Dhuna ndaj fëmijëve po ashtu ka njohur rritje shqetësuese.

Në këtë vit janë vrarë në Shqipëri 18 gra e vajza. Në Shqipëri, 1 në 2 gra përjeton njëlloj dhune gjatë jetës së saj, përfshirë dhunën në familje. Por afro 26% e femrave nga mosha 18 deri në 74 vjeç, besojnë se është e tupshme të flasësh apo denoncosh dhunën, veçanërisht atë seksuale.

Përgjatë këtij viti në polici janë denoncuar të paktën 3500 raste të dhunës në familje, ku shumica vijnë nga gratë. Numri i urdhrave të mbrojtjes po ashtu ka njohur rritje të dukshme (614 të tillë në harkun kohor janar- shtator 2021).