Gratë e fëmijët e mbetur në kampet e Sirisë bëhen gati për t’u rikthyer në Shqipëri

 Gratë e fëmijët e mbetur në kampet e Sirisë bëhen gati për t’u rikthyer në Shqipëri

Familjet e mbetura shqiptare në kampin sirian do të kthehen së shpejti në Shqipëri. Lajmin e ka konfirmuar një gazetar i NBC, i cili ka përcjellë dhe një foto të 5 grave e tre fëmijëve nga kampi Roj, teksa shkruan:

“Departamenti i Jashtëm në Administratën Autonome njoftoi se ata do i dorëzojnë disa familje të ISIS qeverisë shqiptare. Fotografia e disa grave dhe fëmijëve shqiptarë në kampin Roj”, shkruan gazetari

Pak më parë kryeministri i Shqipërisë njoftoi në rrjetin social se ka udhëtuar drejt Libanit (në Bejrut) për operacionin për tërheqjen e fëmijëve e grave shqiptare, të mbetur në kampet siriane. Ai deklaron se do të tërhiqen 5 gra e 14 fëmijë shqiptarë dhe nesër do të mbërrijnë në Shqipëri.

“Beirut, Liban – Për operacionin e shpëtimit nga kampi i ferrit në Al Hol dhe kthimit të fëmijëve e grave të tjera në Atdhe. 5 gra dhe 14 fëmijë shqiptarë nga kampet e vdekjes në Siri, nesër në Shqipëri, falë një operacioni të gjatë e të ndërlikuar inteligjence në terren dhe ndihmës së paçmueshme të gjeneralit Abass Ibrahim“-njoftoi kryeministri Rama.

Kujtojmë se operacioni i fundit për tërheqjen e grave e fëmijëve shqiptarë të mbetur në Siri, u bë më tetor të vitit të kaluar. Operacioni ishte pasues i një ndërhyrje të parë, nga e cila u shpëtua i mituri Alvin Berisha.