Historia e Belës, Zamirës e Klementit, vëllai me dy motrat i shpëtuan me not regjimit komunist

 Historia e Belës, Zamirës e Klementit, vëllai me dy motrat i shpëtuan me not regjimit komunist

Një histori si ato që kemi parë nëpër filma, kështu është historia e Isabelës (Bela), të vëllait Klementit, dhe motrës, Zamirës.

Historia e të rinjve të familjes Islami nis me atë të Klementit. Familja jetonte në Tiranë, bënte një jetë modeste. Për shkak të problemeve me ‘biografinë e keqe’, të rinjtë e dinin se nuk do t’u jepej mundësia për të shkuar në universitet.

Por përpara përballjes me mosshkollimin, 19 vjeçari Klement do të ndryshonte fatin e të gjithë familjes. Në gjimnaz ai kishte bërë një “batutë” kundër regjimit. ‘Vigjilenca revolucionare’, siç quhej atëherë survejimi e spiunimi i të gjithëve kundër të gjithëve, nuk la pa e ‘kapur’ batutën e Klementit.

Klementi, në atë kohë 19 vjeçar (viti 1975), u prangos para shokëve të klasës. E torturuan e më pas e dërguan në spitalin psikiatrik të Elbasanit, atje ku torturat e radhës bëheshin në mënyrë “shkencore”. Mbi të riun u eksperimentua me lloje të ndryshme barnash e qetësuesish, pa harruar elektroshokun..

Klementi doli në vitin 1978, i transformuar fizikisht dhe i lodhur nga vuajtjet. Mësoi shumë shpejt se familja nuk ishte më në Tiranë, por në internim, në fshatin Çermë të Lushnjes. Çerma në atë kohë ishte njëlloj si një gulag, ku izoloheshin të padëshiruarit e regjimit. Familja Islami punonte nga mëngjesi deri në darkë për një rrogë fare të vogël dhe jetonte në një barakë.

Afati i internimit ishte 8 vjeçar. Të gjithë punuan me kokën ulur, duke duruar poshtërimet e talljet. Qoftë edhe për një vizitë mjekësore, askush s’mund të largohej nga një leje.

8 vitet kaluan dhe ëndrra e të rinjve për t’ju rikthyer jetës në Tiranë, u shua shpejt. Kryefamiljari trokiti në të gjitha zyrat, por leja për t’u kthyer në Tiranë nuk erdhi kurrë.

Në këtë kohë, Klementi u mundua t’i mbushë mendjen motrave të tyre, që të arratiseshin nga Shqipëria. Orvatjet e Klementit zgjatën 1 vit, derisa Bela e Zamira pranuan.

Babai ia përkrahu idenë për të ikur, ndërsa nëna hezitoi… nëse ata do të kapeshin, ajo e dinte se nuk do t’i shihte më kurrë fëmijët.

Pavarësisht kësaj, vëllai me të motrat filluan të mendojnë për planin. Arratisja me anë të tokës do të ishte e pamundur, kështu që u mbeti varianti i largimit përmes Korfuzit.

-“Do të ikim nga deti,- iu përgjigj Klementi dy motrave.- Të tre notojmë shumë mirë. Ju kujtohet kur ishim të vegjël dhe bënim not në plazhin e Durrësit?”

Të rinjtë zgjodhën të shkojnë në Sarandë në gusht të vitit 1984, duke marrë disa ditë leje pushim. Ndarja me prindërit ishte e dhimbshme, nuk mund t’i përqafonin, s’mund të qanin, s’mund të bëheshin të dyshimtë. Arritën në Sarandë dhe fatmirësisht arritën të gjejnë vend në të vetmin hotel që kishte qyteti.

Të nesërmen shkuan në këmbë drejt Ksamilit për të arritur sa më në jug, për të qenë afër Korfuzit. Po gjatë ecjes u ndezësh me një patrullë. Pritën ardhjen e natës, dhe bënë gati veten për të hyrë ne det. Papritur, në orën 21:00 panë në det një prozhektor të fuqishëm i cili vëzhgonte bregdetin. Prozhektori ishte aq i fuqishëm, saqë bënte ‘ditë’ atje ku shkonte. Të rinjtë nuk e kishin parashikuar. Pritën e pritën. Pritën për të parë frekuencën, për të mësuar se kur ndizet e kur fiket prozhektori që me siguri do t’i “kapte” nëse hynin në det.

Drita ndizej në orën 21:00 për gjysëm ore. Fikej, më pas për t’u rindezur më 23:00. Klementi, Bela e Zamira tashmë e kishin të qartë se duhej të niseshin pas orës 21:30. E vendosën që të tentonin të nesërmen.

Të nesërmen pas dreke u nisën. Ecën më tutje se ditën e djeshme derisa u përballën me një postboll. Ushtarëve u thanë se vinin nga Tirana dhe donin të shikonin bukuritë e bregdetit. Për fatin e tyre, ushtarët i lejuan të vazhdonin edhe pak më poshtë. Në vendin e quajtur ‘pllakat’, të rinjtë ndaluan në një gji të vogël dhe u fshehën. Pritën mbrëmjen dhe në orën 21:30 u hodhën në det. Ishte e mërkurë, 1 gusht 1984. Bela ishte 30 vjeçe, Klementi 28 e Zamira 27 vjeçe.

Fanari i tyre ishin dritat e Korfuzit. Notuan pa e kthyer kokën pas me shpresën se do të largoheshin nga prozhektori. Fatmirësisht ishin larg cakut të dritës, u kthyen pas dhe e panë se prozhektori nuk i arrinte. I dhanë kurajo vetes, menduan se i shpëtuan regjimit.

Notonin pa pushim, derisa arritën në det të hapur. Rrymat ujore filluan t’i ndajnë nga njëri tjetri, diçka që nuk e kishin parashikuar.

“OOOOO!”- bërtisnin mes tyre, një sinjal që e vendosën aty për aty, për të kuptuar se gjithsecili po notonte e ishte gjallë.

Dritat e Korfuzit dukeshin aq afër, e shpresa e madhe i mbante muskujt e tyre në punë. Mendonin me vete se edhe disa orë not, e më në fund do të jemi të lirë.

Vërtet dritat dukeshin afër, por bregu i Korfuzit nuk ‘afrohej’. Afër mëngjesit, lodhja filloi të ndalojë notin. Krahë nuk i përgjigjeshin mendjes, ndërsa koka ishte bërë e rëndë si gurë. Qepallat bëheshin edhe më të rënda, shpresa po shuhej.

Bela pyeste veten nëse do të dilnin gjallë nga uji. Kishte parë një dritë, një hije burri me një qen lidhur prej dore. Apo ishte në ëndërr?

Bela i jep krahëve edhe për pak metra, por Zamir e Klementi nuk dukeshin. Nuk kishte më sinjale me zanoren (ooooo).

Ishte ora 09:00 e mëngjesit, kur Bela i ishte afruar një jahti jo shumë larg bregut. Pronari i saj, një italian, arriti ta tërheqë në bord. Disa minuta më vonë, gjysëm të vdekur, gjetën Zamirën. Ajo po mbytej. Mbetej vetëm Klementi. U kërkuar kryq e tërthor, ndërsa të motrat bërtisnin me aq fuqi sa kishin mbledhur… por Klementi nuk gjendej. Klementi nuk u gjet kurrë më.

Kështu arritën t’i shpëtojnë fëmijët e familjes Islami regjimit komunist, një lajm që mbyshi faqet e para të gazetave të kohës

Në Shqipëri zyrtarisht nuk u fol asnjëherë për arratisjen.

Në dhjetor, dy motrat përfituan azil politik në Amerikë dhe u shpërngulën atje. I mori komuniteti shqiptar në Detroit dhe pasi mësuan gjuhën, filluan punë në radion ‘Zëri Amerikës’, në seksionin shqip.

Qeveria komuniste në Shqipëri, vetëm dy muaj pas arratisjes, prindërit e dy motrave i internoi në Berishë të vogël, një fshat në malet e Pukës. Dy pleqtë çdo mbrëmje në orën 18:00 mbyllnin derën e kasolles së tyre, strukeshin pranë njëri- tjetrit dhe mundoheshin të gjenin valët e Zërit të Amerikës, për të dëgjuar zërat e dy vajzave.

Kryefamiljari nuk i pa më të bijat, ndërroi jetë në vitin 1988. Nëna e Belës e Zamirës jetoi në internim deri në rënien e regjimit. Në fund të vitit 1990, ajo arriti të sigurojë një vizë në Itali dhe më tutje fluturoi tek të bijat në Amerikë. Atje shijoi të vetmet ditë të lirisë së saj, krah vajzave

Burimi: Kujto.al Përshtati me shkurtime: Shqiptarët për Shqiptarët