Historia e familjes durrsake, babai, vajza, vëllezërit, fëmijët edhe nuset… të gjithë kamionistë

 Historia e familjes durrsake, babai, vajza, vëllezërit, fëmijët edhe nuset… të gjithë kamionistë

Familja Dervishi vjen nga Durrësi e anëtarët e saj kanë një histori krejt ndryshe nga shumë emigrantë shqiptarë që u larguan nga vendi drejt Italisë në vitet ’90.

Mund të duket e pabesueshme, por thuajse të gjithë anëtarët e familjes kanë të njëjtin profesion, të gjithë janë kamionistë. Për këtë zgjedhje krejt të pazakontë rrëfen Miranda Dervishi, vetë kamioniste. Ajo shpjegoi se në fillim të viteve 2000 mori patentën dhe duke ndjekur shembullin e vëllezërve të saj, vendosi të bëhet kamioniste.

“Ne këtë trashëgimi e kemi prej vëllezërve të mi. Babai im shkollën e mbaroi për arkitekturë, por kur erdhi në Itali ishte pasioni i tij e vëllezërve, që unë e trashëgova këtë punë. Ne kemi firmën tonë, vëllai, motra e ne tonën, jemi në fazën që po e hapim, unë me dy fëmijët e mi. Të them të drejtën kur kam marrë patentën në vitet 2000, kam patur vështirësi. Ka edhe shumë rrezik si punë, pasi e fillon në mëngjes e nuk e di në arrin deri në darkë tek fëmijët. Ke të bësh me shumë njerëz çdo ditë, veçanërisht për një femër. Ka raste kur nuk arrin në shtëpi e do të duhet të flesh në kamion.”-tregoi Miranda në një intervistë për abc.

Një prej djemve të Mirandës tregon se shkollën e përfundoi për kuzhinier, por ‘tradita’ e familjes rezultoi të ishte më e fortë.

“Mbarova shkollë për kuzhinë, por i kemi patur dajat që prej 20 vitesh në këtë punë, e na hyri edhe neve në gjak. Për të ecur më mirë dihet, mami është njëshi, nuk diskutohet…”-tregoi njëri prej djemve të Mirandës.

Një tjetër aspekt krejt i veçantë është fakti se edhe nuset e vëllezërve të Mirandës, u bënë kamioniste si bashkëshortët e tyre. Miranda kujton fjalët e nënës së saj.

 “Nuseve i lindi në zemër. Kur u martuan me vëllezërit e mi kanë qenë të vogla dhe në atë kohë më kujtohet, mamaja u thoshte, shkoni punoni me djemtë, se fëmijët do t’jua rris unë. Kështu mësuan, pasi donin të qëndronin të gjithë bashkë, të mos ndaheshin”- shpjegoi Miranda.