Historia e inxhinierit që shpëtoi 180 jetë nga qyteti i rrënuar nga lufta

 Historia e inxhinierit që shpëtoi 180 jetë nga qyteti i rrënuar nga lufta

Skynews ka përcjellë historinë inspiruese të një babai, i cili e la qytetin e tij të lindjes me djalin, të shoqen e të ëmën fill pas bombardimeve ruse. Aleksei, dikur një inxhinier nëndetësesh, jetonte në Mariupol duke punuar në ofiçinën e tij të makinave, derisa nisi lufta. Për të shpëtuar familjen nisen drejt rrethinave të qytetit, por edhe atje vendi ku po strehoheshin u bombardua.

Si pasojë e një predhe, familja mbeti e bllokuar në bodrumin e një shtëpize ku ishin fshehur. Aleksei çau murin me një copë hekuri e tregoi se ishte një mrekulli që i kishin mbijetuar goditjes. Në kushtet kur nuk kishin më as rroba, xhupa, apo ushqim për t’u larguar nga rrënojat, inxhinieri mori familjen dhe e futi në një makinë “Vollga” të kohës sovjetike që e ruante në ofiçinën e tij. Largoi familjen në një qytezë pranë dhe vendosi të kthehet në apartamentin e tij për të marrë rroba të ngrohta për familjen.

Kur mbërriti në lagjen e tij në Mariupol u përball me tmerret e luftës, godinat e shkatërruara e njerëz të hutuar që mundoheshin t’i shpëtonin vdekjes.

“Kishte njerëz të dëshpëtuar që ecnin rrugëve… edhe unë njeri jam e aty kuptova se duhet t’i shpëtoja këta njerëz”-rrëfeu ai.

Me makinën e tij, ku arrinte të fuste mbi 5 persona, ky inxhinier shpëtoi 180 vetë, përfshi këtu burra, gra, fëmijë e të moshuar që nuk kishin mundësi vetë të largoheshin nga qyteti.

Aleksei bëri dhjetëra rrugë vajtje ardhje nëpër pjesë të ndryshme të qytetit dhe ndërroi të paktën 5 herë gomat e makinës të cilat çaheshin rëndom për shkak të copëzave të hekurave që mbushnin rrugët.

Shumë njerëz që ai shpëtoi iu përgjëruan për ndihmë pasi kishin familjarë në qytet, e shumë prej tyre edhe nëna me foshnje. Në makinën e këtij babai gjeje edhe ushqim për foshnje që ai e dërgonte drejt nënave lehonë.

“Makinën e mbusha me ushqim dhe kam shkuar në adresat që më kanë dhënë njerëzit, pa e ditur nëse do të gjeja godina të shkatërruara apo jo. Nëse pallati do të ishte i pagoditur, do të bërtisja e kush vinte, do ta merrja për ta futur në makinë e për t’u larguar.”-tregoi inxhinieri.