Tre ditë kërkime për gjetjen e 10 vjeçarit, dyshime se i ndjeri mund të ketë mbetur në këtë urë të rrënuar

 Tre ditë kërkime për gjetjen e 10 vjeçarit, dyshime se i ndjeri mund të ketë mbetur në këtë urë të rrënuar

Polumbarët po i vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 10 vjeçarit që e mori rrjedha e lumit Fan në një fshat të Mirditës.

Disa kilometra larg vendit ku ndodhi ngjarja, ndodhet një urë e vogël e rrënuar. Ka dyshime se trupi i të ndjerit mund të ketë mbetur aty.

Trupat e kërkim- shpëtimit kanë punuar për të devijuar rrjedhën e lumit në këtë pjesë të ngushtë të lumit, pasi  aty janë mbledhur një sërë mbetjesh që e vështirësojnë ndjeshëm kërkimin për 10 vjeçarin.

Orvatjet do të vijojnë edhe gjatë orëve të pasdites, me shpresën se më në fund aty mund të gjendet trupi i të miturit.

Vogëlushi 10 vjeçar po luante me shokët e vëllanë, kur në një moment topi u ka rënë në lumin Fan. 10 vjeçari ka vrapuar të kapë topin, por është marrë nga rryma. I vëllai ka tentuar ta shpëtojë, por nuk ka mundur.

Ditën e djeshme për median foli edhe drejtori i shkollës ku mësonte 10 vjeçari, i vëllai dhe e motra. Ai u shpreh se të gjithë fëmijët e mësuesit e kanë përjetuar me hidhërim lajmin për të miturin.

“Jemi tepër të hidhëruar. Ai ka qenë një fëmijë tepër i mirë, por situata e solli. Shkolla e përjeton shumë keq. Jemi të shokuar. Presim që ti gjendet trupi dhe ti bëjmë nderimet e fundit. Situata në shkollë është shumë keq. Kemi bërë orë edukative, psikologia është këtu, bashkë me stafin pedagogjik”, tha drejtori Frrok Lleshi.