Historia e një nëne… pas një viti në koma, gruaja zgjohet e përqafon për herë të parë të bijën

 Historia e një nëne… pas një viti në koma, gruaja zgjohet e përqafon për herë të parë të bijën

Shumë emocione, gëzim e buzëqeshje të përqendruara në pak orë të së dielës. Kështu një nënë u bashkua më në fund me të bijën për herë të parë, pas një kalvari të gjatë në spital.

Kristina solli në jetë të bijën në Italinë fqinje në vitin 2020, por që nga ajo kohë nuk kishte patur mundësinë ta përqafonte, pasi ra në koma. Në korrik të 2020, 39 vjeçarja e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzanisë, pësoi një arrest kardiak. Ndodhej në shtëpi kur u godit në zemër. Fatmirësisht mjekët ndërhynë në kohë duke i shpëtuar jetën foshnjes, por nëna mbeti në koma për mëse 11 muaj.

Fatmirësisht Kristina u rizgjua nga koma dhe këtë të dielë mundi të kthehet në shtëpi për pak orë, vetëm e vetëm për të përqafuar të bijën.

“Ta shohësh Kristinën kështu është gjë e madhe për ne”-tregoi i shoqi, i cili momentin e përqafimit mes të bijës e të shoqes, kishte afro 2 vite që e priste.

Klinikisht 39 vjeçarja ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, por sërish i duhet të qëndrojë në spital për t’u rehabilituar. Ajo do të mund të kthehet çdo javë në shtëpi për disa orë, që të mund të qëndrojë me të bijën, derisa mjekët të binden se ajo nuk rrezikon më.

Historia e Kristinës preku mjaft qytetarë, përfshi këtu dhe persona të njohur në Itali si këngëtarja Gianna Nannini, e cila i dërgoi disa mesazhe 39 vjeçares kur mësoi se ishte zgjuar nga koma. Ndërkohë Gabriele, tregon se do t’i qëndrojë në krah të shoqes pavarësisht vështirësive.

“Nuk e di nëse ime shoqe më njeh sa herë që më shikon. Ajo buzëqesh, u buzëqesh të gjithëve, e kur i vë këngët e saj të preferuara të Nannini-t, ajo i këndon përmendësh, kushedi kjo do të thotë se ajo i kujton të gjitha”.

Burimi: Corriere Fiorentino/ Përktheu e përshtati: Shqiptarët për Shqiptarët.info