“I la fëmijët jetimë” Viktimat e tragjedisë në Tetovë dhe rrëfimet e familjarëve

 “I la fëmijët jetimë” Viktimat e tragjedisë në Tetovë dhe rrëfimet e familjarëve

Ky burrë është babai i një prej 14 viktimave që humbën jetën si pasojë e zjarrit në spitalin modular të Tetovës. Shkurtimisht për median, shprehet se i biri 38 vjeçar po luftonte me sëmundjen, por e morën flakët.

“Ai ishte shumë i ri, dy fëmijë mbetën pa baba”,– tha burri, ndërsa sytë iu mbushën me lotë.

Një tjetër rrëfim. Ai i një vajze që babanë e kishte në spitalin modular. Ajo tregoi se zjarri është shpërndarë me një shpejtësi të madhe, ndërsa ajo me babanë kanë shpëtuar përmes dritares.

“Kam parë njerëz të djegur, shumë të lënduar, ka qenë e tmerrshme! Këtë nuk ia dëshiroj askujt ta përjeton. Spitali është djegur për disa minuta, në ato dy minuta kush ka arritur të shpëtojë, ka shpëtuar, është djegur shumë shpejtë”, dëshmoi vajza.

Ndërkohë media në Maqedoninë e Veriut ka përcjellë foton e njërës prej viktimave të zjarrit. Ajo është një vajzë, më e reja ndër 14 viktimat e tragjedisë, sipas të dhënave të deritanishme. Sipas medias, e ndjera ka patur në spitalin modular të shtruar nënën. Ajo ka tentuar për ta shpëtuar nënën nga flakët, por fatkeqësisht nuk ka mundur, ka humbur jetën së bashku me nënën e saj.

Një tjetër, pret me ankth për të mësuar për prindërit, nënën e babain. Muniri ka patur babain të shtruar në spitalin modular, ndërsa nëna e tij përkujdesej për të shoqin.

“Nga ora 8 e gjysëm kemi folur. Më vonë më morën në telefon e më thanë se diçka ka ndodh në spital. Shkova e pashë e ishte shkrumb. Nuk dinim kurrgjë. Lypja me dit, por nuk i gjeja. Mbetëm deri vonë duke lyp për ndihmë. Na thanë se në Shkup kanë shkuar të vdekurit. Shkuam në Shkup e më bënë ADN-në e tash presim si do dalë. Kemi lyp në spitale po s’ka. Nuk kemi çfarë me bërë.

Babai ishte i infektuar. Na thanë që mund të vejë një prind për ta mbajtur a ushqyer. Të dy kanë humb, nuk e dimë ku janë…”-tha Muniri.