“I varur 3 muaj, derisa s’kishte më vend për litarët” Dëshmia e shqiptarit, që përballoi torturën komuniste

 “I varur 3 muaj, derisa s’kishte më vend për litarët” Dëshmia e shqiptarit, që përballoi torturën komuniste

Ky është rrëfimi i Ahmet Bushatit, i cili qëndroi i varur në litarë për muaj, me verdikt të Sigurimit të Shtetit. Ai rrëfen për torturat që përballoi në duart e hetuesve, vetëm sepse kishte marrë pjesë në një lëvizje studentore antikomuniste. Ishte pa mbushur 19 vjeç kur e arrestuan dhe i ishte bashkuar lëvizjes në Shkodër “Përpjekja shqiptare”. Me 7 vite burg e dënuan Ahmetin, por përpara burgut e dërgimit në kampet e punës, erdhi tortura në hetuesi.

 “Do të ishte hetuesi Ali Xhunga,-shkruan në kujtimet e tij Ahmet Bushati, -ai që për tre muej rresht do të më mbante të varun…”

Bushati tregon se përpara litarëve, një oficer i lidhi aparatin e rrymës elektrike në njërin vesh, ndërsa hetuesi udhëroi që ta përplasnin në dysheme disa herë.

“Në mbasdrekën e kësaj dite, m’u futën si me ngut në birucë Ali Xhunga, Ismail Lulo e mbas tyne edhe shurdha, që mbante ndër duer nji litar e stol. Kur Ismail Lulo tërhoqi litarin prej duerve të shurdhës, unë mendova se do të fillojshnin me më ra me të. Nuk dijsha që varja të ekzistonte si torturë”, shkruan Ahmet  Bushati.

“I varun në litar e me krye të përkulun anash, vazhdimisht me gojë hapët që të mund të merrsha frymë e të shkumbëzueme në atë pikë vape, me dhimbje të forta ndër pulse ku randonte gjithë trupi i varun e që nga mosqarkullimi i gjakut ndër ta, ishin ajtë e kishin fillue t’i çajshin nga zinxhirët që po i pritshin si brisk, me sy të mbyllun vazhdimisht prej lodhjes së madhe e pagjumësisë së gjatë, do të ishte pak a shumë gjendja e pamja ime e përgjithshme ndër ato ditë…Do të më dukej sikur mbrenda mejet të ishte futë një vetë e dytë që më jepte zemër tue më folë: “Sa më shumë që po të shtohen vuejtjet e sa më shumë kohë që po kalon, aq ma shumë po i afrohesh asaj vdekjeje, ku ti pret me pushue”.-kujton më tutje Bushati.

Hetuesit e zgjidhnin vetëm për t’i dhënë një copë bukë, sa për ta mbajtur gjallë.

“Kur më zgjidhnin, pra, në vakt dreke, problem kisha uljen, sepse kambët e mia të ajtuna shumë, deri sipër kofshëve ishin gri e ba si dy trupa të trashë druni, që ma nuk u thyejshin ndër gjuj. Kështu që unë, për t’u ulë, do të shkojsha tue u fërkue ngadalë-ngadalë për mur, deri në një pikë kur, pa mujtë ma me vazhdue zbritjen, do të rrëzoheshe vetë mbi çimento me kambë të shtrime para. S’m’u hante aspak, por për ujë kisha etje të madhe e ma shumë se për gjithçka, tue përjashtue dhimbjet, kisha nevojë për gjumë…Mbas tri-katër ditësh të para që isha varë, i mbaruem për gjumë siç isha e si gjithnjë tue shikue vazhdimisht poshtë, me vete do të thosha sa e sa herë: “Mos vdeksha pa fjetë edhe një herë mbi këtë çimento”, që aq shumë e lakmojsha me sy.

Së pari, mue do të varshin për duersh, por kur, me kalimine e ditëve, zinxhirët të më futeshin mbrenda ndër pulse e të shprishnin misht e tyne, varjen do të ma kalojshnin ndër shpatulla, e kur, mbas disa ditësh të tjera edhe ato do të çaheshin si me brisk prej litarit e të ishin kthye krejt në plagë, varjes përsëri do t’i ndërrojshin vend, por jo tue e kapë ndër pulse që ende vazhdojshin të ishin mish i gjallë, ose sipas rastit edhe të përthame me gjak e qelb përbrenda, por ndër krahë e për t’u kthye simbas radhës, përsëri nga e para edhe pse mandej e mbrapa do të ishin vazhdimisht në gjendje plagësh…”Kjo torturë vazhdoi për tre muaj nën urdhrat e Ali Xhungës.

Përshkrimi i Ahmet Bushatit është shkëputur nga përmbledhja “Antologjia e plagëve nën terrorin komunist”, botim i QSHRT.