I moshuari italian humb jetën pas ndërhyrjes dentare në Shqipëri, çfarë shkruan media fqinje

 I moshuari italian humb jetën pas ndërhyrjes dentare në Shqipëri, çfarë shkruan media fqinje

Media italiane ka përcjellë shqetësimin e kreut të shoqatës së dentistëve në Bari e Bat, në lidhje me vdekjen e papritur të një 71 vjeçari italian, i cili ndërroi jetë një ditë pas një ndërhyrje dentare që kreu në Shqipëri.

71 vjeçari Agostino Sellitri kishte ardhur në Shqipëri për një trajtim dentar, por të nesërmen e ndërhyrjes ai ndërroi jetë si pasojë e një goditje në zemër. Mbetet e paqartë nëse vdekja e burrit erdhi si pasojë e trajtimit dentar, por Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Stomatologëve Italianë të Barit dhe Bat, Fabio De Pascalis, bëri një reagim në lidhje me rastin. Ai paralajmëron qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e trajtimeve ku reklamohen kostot fare të ulëta të ndërhyrjeve dentare.

“Rreth korrelacioneve dhe implikimeve që mund të ketë shkaktuar ajo ndërhyrje, e ndjej për detyrë në emrin tim dhe të gjithë kolegëve të mi t’u referohem rregullave të maturisë dhe vëmendjes, kur dikush vendos të ndërmarrë një udhëtim të këtij lloji.

Premtimet për ndërhyrje dentare me kosto të ulët fshehin gracka dhe rreziqe që nuk mund të injorohen. Për më tepër, këta pacientë rekrutohen në mënyrë delikate dhe jo shumë transparente.

I bëjmë thirrje të gjithëve që të mos mashtrohen. Kostoja e ulët shpesh nënkupton kujdes të dobët, mospërmbushje të kohës së nevojshme klinike, si dhe stres të tepruar fizik dhe psikologjik për pacientin. Shumë më tepër se shpesh na takon ne të riparojmë dëmet e bëra diku tjetër”, deklaroi stomatologu Fabio De Pascalis, siç përcolli media italiane.

I moshuari punonte në Kryqin e Kuq dhe në disa organizata të tjera në punë vullnetare për komunitetin.