I plagosuri tregon si nisi të qëllojë me thikë Rudolf Nikolli: Njëri po lexonte Kuranin kur u godit në këmbë

 I plagosuri tregon si nisi të qëllojë me thikë Rudolf Nikolli: Njëri po lexonte Kuranin kur u godit në këmbë

Një prej 5 të lënduarve nga duart e 34 vjeçarit Rudolf Nikollit, ka treguar të gjitë dinamikën e ngjarjes së rëndë, që ndodhi ditën e djeshme në ambientet e xhamisë “Dine Hoxha” në Tiranë.

Sabah Peposhi tregoi në një intervistë për median, se 34 vjeçari fillimisht ka qëlluar me thikë një punonjës të picerisë përballë godinës dhe më pas është afruar drejt ambienteve të xhamisë.

Madje Sabahu tregon se njëri prej të lënduarve ishte duke lexuar Kuranin në momentin kur është qëlluar me thikë në pjesën e këmbës.

Më poshte intervista e tij e plotë, dhënë për  Top Channel:

-Sabah, ju jeni një nga të plagosurit e ngjarjes së djeshme. Ku ndodheshit në ato momente dhe si rrodhi e gjithë ngjarja?

“ Në ato momente unë ndodhesha këtu brenda. Ishte e papritur. Autori erdhi nga piceria përballë që plagosi njërin nga djemtë. Në atë moment, pasi plagosi atë erdhi plagosi edhe një tjetër, një punonjës që ishte aty. Nga aty erdhi plagosi edhe kolegun e punës. Pastaj hyri brenda, ishin ulur edhe aty brenda. Në atë moment bërtiti ky kolegu im, kujdesuni se ka thikë në dorë. Në ato momente, ne u larguam kurse ai djali mbeti aty se nuk e dëgjoi mirë dhe shkoi e goditi në pjesën e këmbës këtu. Pastaj ai doli jashtë”.

– Djali tjetër ishte duke u falur?

“ Po lexonte Kuran. Pastaj pasi e plagosi, tentoi të dilte jashtë dhe të ikte. Mori një biçikletë, aty pranë, katër-pesë metra larg xhamisë dhe aty ne e ndoqëm nga mbrapa për ta ndaluar. Në atë moment, e ndaluam, u grumbulluan edhe njerëzit. Erdhi edhe policia dhe e arrestuan”.

– Ju kur iu plagosi? Në ato momente kur donit që ta ndalonit?

“ Po, kur donim ta ndalonim. E kapën prej qafe, por ai më nguli thikën këtu, tek pjesa e krahut që mund ta shikoni edhe vet. Këto janë plagët e thikës që kanë kapur edhe pjesën e damarit”.

– Kush iu dërgoi në spital?

“ Atëherë ne morëm ambulancën, dhe ndërkohë që erdhi ambulanca erdhën edhe disa vëllezër me makinat personale, të vetat. Pra dy shkuam me makinë, ndërsa të tjerët me ambulancë”.