“Jemi gazetarë” Pamje shqetësuese, ekipi i xhirimit qëllohet me breshëri nga trupat ruse në Kiev

 “Jemi gazetarë” Pamje shqetësuese, ekipi i xhirimit qëllohet me breshëri nga trupat ruse në Kiev

Një grup xhirimi i Skynews, i drejtuar nga korrespondenti Stuart Ramsay, u sulmua me breshëri armësh në afërsi të Kievit. Operatori Richie Mockler mori dy plumba, fatmirësisht në xhupin antiplumb, ndërsa vetë gazetari u plagos. Eksperienca e tyre, e cila u filmua e gjitha nga operatori, është një dëshmi e frikshme e shkallës së tmerrit e kaosit që po zhvillohet në Ukrainë.

Kështu e nis artikullin Sky News, teksa shpjegon në detaje sesi një grup xhirimi i tyri në afërsi të Kievit, u qëllua me breshëri automatikësh nga forcat ruse. Edhe pse gazetari e të gjithë të tjerët bërtisnin jemi gazetarë, breshëria nuk ndalonte.

Artikullin e ka shkruar vetë korrespondenti Stuart Ramsay, duke treguar se çfarë ndodhi. Ai shkruan se pas një pune të gjatë në rrethinat pranë Kievit, ekipi me 5 vetë vendos të kthehet në kryeqytet. Pyesin disa oficerë ukrainas nëse rruga perëndimore drejt Kievit ishte e kalueshme. Një polic i thotë se rruga është e hapur dhe se mund të kalojnë nga andej drejt kryeqytetit.

“U nisëm, por atje ishte një heshtje prej vdekje. Është e drejtë të themi se ishim disi të shqetësuar. Gjithsesi, udhëtuam ngadalë derisa arritëm në një kryqëzim. Kishte shumë rrënoja në tokë, por kjo është normale këtu. Nuk kishte ushtarë, e gjithkund dukej shkretë.

E më tutje papritur një shpërthim i vogël. Pashë që diçka goditi rrotën e makinës e cila shpërtheu. Ngadalësuam derisa makina ndaloi.

Më pas bota u kthye përmbys. Plumbi i parë krisi xhamin e përparmë. Operatori u struk menjëherë poshtë, në hapësirën e këmbëve në vendin e parë të pasagjerit. Më pas, ishim nën sulm të plotë. Plumbat ranë në të gjithë makinën.”-shkruan shefi i ekipit të xhirimit, gazetari Stuart Ramsay.

Ekipi i xhirimit ishte sulmuar nga një grup rus që kryente operacioni zbulimi në zonë. Ata kishin menduar fillimisht se ishte një patrullë ukrainase që ruante zonën, e nisën të bërtasin “jemi gazetarë”, por plumbat nuk mbaronin.

Pas disa minutash nën të shtëna, ekipi vendos të provojë të largohet. Të gjithë dalin nga makina dhe arrijnë të shpëtojnë për mrekulli.

Gazetari Ramsay madje u lëndua dhe gjatë arratisjes rrëzohet edhe duke çarë fytyrën. Ekipi fshihet në një godinë e prej aty telefonon redaksinë. Këta të fundit i thonë se mbase do të duhet një ditë e plotë derisa t’i shpëtojnë.

Me rënien e natës, ekipi i xhirimit konstaton se jashtë po luftohet. Operatori alarmon të tjerët duke u thënë se dëgjoi disa fjalë, të ‘bukura’ në atë moment për të gjithë “policia e Ukrainës, dilni tani shpejt”. Ekipi hyn në një furgon policie dhe ikën nga ajo zonë. Pas një dite të gjatë, ata mbërrijnë në Kiev, për mrekulli të gjithë gjallë.

Për të parë videon nga Skynews, klikoni KËTU