Jetonin në një hambar në varfëri… historia e 8 vjeçarit që arriti t’i blejë shtëpi familjes

 Jetonin në një hambar në varfëri… historia e 8 vjeçarit që arriti t’i blejë shtëpi familjes

Viti 2020. Veronisa punonte si shitëse në një dyqan këpucësh. Një nënë e vetme, me tre fëmijë. Por në vitin 2020, ashtu si në të gjithë botën, nuk qenë të pakta bizneset që u mbyllën për shkak të pandemisë. Nëna e tre fëmijëve pati të njëjtin fat.. mbeti e papunë. Dëshpërimi ishte i madh, pasi ajo tashmë nuk kishte një punë për të mbajtur fëmijët dhe shtëpinë me qira ku jetonte.

Dy vajzat, djali dhe nëna u transferuan në një godinë të vjetër, njw hambar. Aq ishin mundësitë e Veronisës. Në ‘shtëpinë’ e tyre të re nuk kishte as ujë, ndërsa familja detyrohej që të përdorte tualetët e një restoranti aty pranë.

“Si nënë, mu thye zemra. M’u duk sikur kisha dështuar përpara fëmijëve të mi”-tregoi nëna e tre fëmijëve.

Shpesh ndodhte të kalonte një makinë që bëntë transportin e ushqimeve, dhe nëna i kishte thënë të birit me shaka, se kur të rritej, ai do të mund të hapte një biznes të tijin për të blerë patatinat e tij të preferuara.

Por Aroni, 8 vjeçar, nisi të mendojë për ‘biznesin’ e tij që në atë moshë. Aroni i tha të ëmës se kishte dëshirë të niste të shiste lule e bimë.

12 dollarë kishte në xhep nëna, të cilat ia dha të birit. Aroni bleu 8 bimë të vogla. Vendosi një tavolinë të vjetër përpara vendit ku jetonin dhe arriti t’i shesë ato për 16 dollarë. Vogëlushi vijoi të blejë sërish lule e t’i shesë ato. Shpesh njerëzit i linin bakshish, kur shikonin përkushtimin e tij.

Historia e 8 vjeçarit u përcoll në rrjetet sociale dhe shumë shpejt vogëlushi u bë i famshëm. Për hir të tij, motrave dhe nënës, njerëzit hapën një gofund me, ku u arrit të mblidheshin afro 40 mijë dollarë.

Me paratë, Aroni u bë shkas që e ëma të mund të blinte një banesë fare të vogël, një dhomë e kuzhinë. Falë përpjekjeve të 8 vjeçarit, familja me tre fëmijë tashmë e ka një çati mbi kokë.

“Shtëpia nuk është e madhe, por për ne duket gjigande”-tregoi në atë kohë nëna e tre fëmijëve.

Ndërkohë Aroni, tregoi se dëshira e tij ishte të kishte një dyqan të vetin me lule. Kur e pyetën se çfarë kishte dëshirë të bënte, vogëlushi u përgjigj se donte të kishte një bashkëpunim me ‘Nike’ që ai të bënte një model të vetin të këpucëve. Veç kësaj, dëshira e tij ishte që të bëhej gjyqtar.