“Kemi ecur 14 ditë në këmbë” Rrëfimi i emigrantëve nga Bangladeshi, ‘dorëzohen’ në Shqipëri

 “Kemi ecur 14 ditë në këmbë” Rrëfimi i emigrantëve nga Bangladeshi, ‘dorëzohen’ në Shqipëri

Mes vapësh dhe mungesës së parave, lodhjes dhe mosushqyerjes, ky grup refugjatësh nga Bangladeshi, ndaloi (ditën e djeshme) në rrugën nacionale përballë fshatit të Lazaratit.

Të rraskapitur nga ecja, këta 17 të rinj kanë pritur anës rrugës ardhjen e autoriteteve policore. Thonë se kanë ecur për të paktën 14 ditë në këmbë, duke kapërcyer nga Greqia drejt Shqipërisë. Kanë qenë të vetëm dhe rruga për ta ka qenë e panjohur.

“Jemi të gjithë nga Bangladeshi. Jemi shokë.”Ishim në Greqi por ishte problem. Nuk na dha njeri punë, nuk kishim ku të qëndronim, ishte problem. Kemi 14 ditë që udhëtojmë me këmbë.”thotë njëri prej tyre për median.

Duan të mbërrijnë në Tiranë, më tutje në Bosnje e më pas drejt vendeve të BE-së, pavarësisht se vendin se ku, nuk e tregojnë.

“Një vit më parë u nisëm nga Bangladeshi. Duam të shkojmë në Tiranë, nuk kemi para dhe duam punë. Do shkojmë në Tiranë, pastaj në Bosnje”.-tregon një tjetër.

Policia ka mbërritur dhe ka marrë të rinjtë, për t’i dërguar në një pikë qëndrimi për emigrantët.