Gazetari kishte shkuar për të raportuar zhdukjen e një fëmije… mrekullisht është ai që e gjen

 Gazetari kishte shkuar për të raportuar zhdukjen e një fëmije… mrekullisht është ai që e gjen

Një fëmijë i cili ende nuk i kishte mbushur dy vjeç humbi në një zonë të Toskanës në Italinë fqinje. Grupe të shumta kërkimi nisën punën për të gjetur vogëlushin, ndërsa ngjarja tërhoqi dhe vëmendjen e medias.

Gazetari Giuseppe di Tommaso (Xhuzepe di Tomazo) po shkonte afër zonës së kërkimeve, kur dëgjoi disa zhurma pranë një shpati të pyllëzuar, jo shumë larg rrugës.

Gazetari thirri oficerët e policisë dhe me të shkuar atje, u gjet fëmija, i identifikuar si Nikola Tanturli. Për fëmijën po kërkonin rreth 1 mijë veta, por mrekullisht gazetari rezultoi të ishte në vendin e kohën e duhur dhe të dëgjonte të qarat e fëmijës.

“Ishte diçka emocionale. Ende po dridhem. Unë po qëndroja në makinë me ekipin e xhirimit. Dola për një moment dhe dëgjova një zë nga poshtë grykës. Mu duk sikur më bënë veshët, por nisa të thërras emrin e fëmijës.

Ai mu përgjigj, duke thirrur ‘mami, mami’. Në atë moment vrapova dhe arrita të ndaloj aty një makinë të policisë për t’i treguar”-shpjegoi për median italiane gazetari.

Nicola ishte rreth 25 metra poshtë rrugës, përgjatë rrëpirës.

“Dëgjova si të qara dhe mendova mos prej aty do dalë ndonjë kafshë. Por jo, aty ishte Nikola i mbuluar nga një tufë e madhe bari. Kur na pa thirri ‘mami’. Ishte një moment lehtësues”-tha drejtuesi i policisë lokale.

Fëmija u dërgua në spital (ditën e djeshme) dhe pas një qëndrimi prej 24 orësh, u la i lirë këtë të enjte. Nikola ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe tashmë në krahët e nënës.