Kishin humbur në pyll, dy vëllezërit e mitur gjenden mrekullisht të gjallë pas thuajse 4 javësh

 Kishin humbur në pyll, dy vëllezërit e mitur gjenden mrekullisht të gjallë pas thuajse 4 javësh

Photo credit: Getty Image

Dy vëllezër fare të vegjël në moshë janë shpëtuar mrekullisht, pas gjetjes së tyre në një pjesë të pabanuar të pyllit të Amazonës. Vëllezërit, 9 dhe 7 vjeçarë, kishin humbur prej thuajse 4 javësh (27 ditë).

Ata u gjetën disa kilometra larg qytezës së tyre, nga një banor i zonës. Për ditë me radhë babai i fëmijëve së bashku me ekipet e shpëtimit kishin kërkuar kudo për të gjetur fëmijët, të cilët i përkasin grupeve indigjene të zonës. Shpresat kishin humbur se fëmijët do të gjendeshin të gjallë, kur mrekullisht një fermer i kishte pikasur jo shumë larg pronës së tij. Të dy fëmijët ishin shtrirë në tokë. 9 vjeçari kishte nisur të bërtiste kur kishte dëgjuar zhurmë e kësisoj kishte tërhequr vëmendjen e fermerit.

Fëmijët ishin në gjendje tepër të rënduar shëndetësore. Të dy vëllezërit u dërguan me urgjencë në spital, ndërsa siç raporton CNN, një punonjëse sociale u tregoi sesi dy vëllezërit kishin arritur të mbijetonin për afro 4 javë në botën e egër.

“Vëllai i madh na tregoi se i vëlla i vogël nuk kishte më forcë të ecte, kësisoj ishte ai që shkonte për të mbledhur fruta që i vëllai i vogël të hante diçka. Në një moment, gjendja kishte shkuar atje saqë edhe 9 vjeçari nuk kishte më fuqi të ecte”-shpjegoi për CNN punonjësja sociale.

Fermeri që i gjeti po punonte për të prerë disa pemë të pyllit, pasi do të mbillte aty të tjera pemë (arrorë). Në këtë moment ai ka dëgjuar fëmijët duke qarë e bërtitur, e ka mundur t’i gjejë.

Kur i kishte gjetur fëmijët, fermeri ishte përlotur”-tregoi për CNN punonjësja sociale.

260 veta u mblodhën për të kërkuar dy vëllezërit, të cilët kur u gjetën ishin në gjendje të rënduar, të paushqyer, të dehidratuar, me plagë e pickime të panumërta në lëkurë, e infeksione në trup.

Vëllezërit 9 e 7 vjeç ia kishin dalë që të mos vdisnin nga dehidratimi, duke u munduar të pinin ujin e shiut ose një lumi atje pranë si dhe duke u ushqyer me sorva (frut) sa herë gjenin.

Pedriatri i cili ndoqi mjekimin e tyre shpjegoi për CNN se gjendja e djemve është serioze por të paktën tashmë nuk rrezikojnë jetën.

“Shqetësimi ynë ishte gjendja e veshkave të tyre, por tani ato po funksionojnë siç duhet. Do të duhet të përkujdesemi për infeksionet që kanë në trup dhe ushqimin në mënyrë progresive për të parë tolerancën në trupin e tyre”-tha për CNN padriatri.