Komiteti shpjegon: Si do të lejohet vaksinimi i fëmijëve, aprovohet doza e tretë për të moshuarit

 Komiteti shpjegon: Si do të lejohet vaksinimi i fëmijëve, aprovohet doza e tretë për të moshuarit

Komiteti teknik i ekspertëve ka dalë me disa njoftime këtë të premte, ku në fokus ka qenë vaksina e tretë për moshat mbi 60 vjeç dhe vaksinimi tek fëmijët.

Duke filluar nga 1 nëntori, personat mbi 60 vjeç, të cilët kanë mbi 6 muaj që kanë marrë dozën e dytë të vaksinës, mund të marrin dozën e tretë.

Në lidhje me fëmijët mbi 16 vjeç, drejtuesja e komitetit tenik Rakacolli, u shpreh se duke filluar nga 1 nëntori, Shqipëria do të lejojë vaksinimin e tyre, me kushtin që të ketë një dakordësi nga prindërit.

Për fëmijët në mosha më të vogla, 12 deri në 15 vjeç, Rakacolli u shpreh se mund të vaksinohen ata fëmijë të cilët janë vulnerabël për shkak të ndonjë sëmundje.

Rakacolli: Duke u bazuar në analizën e situatës, komiteti mendon se niveli i masave shtrënguese do të mbetet i njëjtë pasi i përgjigjet indikatorëve. Nëse masat zbatohen me rigorozitet, nuk do të ketë shtrëngime të tjera.

Një vendim tjetër, ai për vaksinimin. Komiteti i vaksinimit sugjeron që të mbetet prioritet mbulimi i popullsisë me vaksinë. Personat apo qytetarët mbi 60 vjeç të bëjnë vaksinën e tretë, jo më herët se 6 muaj nga vaksina e dytë, duke filluar nga 1 nëntori.

Fëmijët që janë mbi 16 vjeç do të ftohen për t’u vaksinuar, gjithmonë me konsensusin e prindërve dhe rekomandimin e mjekut. Do të ftojmë për vaksinim edhe fëmijët 12-15 vjeç e që paraqesin sëmundje që kanë të bëjnë me uljen e imunitetit, në bazë kjo të rekomandimit të mjekut pediatër.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico i bëri thirrje të rinjve e studentëve që të vaksinohen.

Fico: Ju bëjmë thirrje të vaksinohen duke qenë se në universitete kanë skuadrat e vaksinimit. Të mos harrojmë se e rëndësishme është mbajtja e masave e zbatimi i protokolleve. Një nga problematikat që kemi hasur është fakti se qytetarët nuk i drejtohen burimeve zyrtare të informacionit.