Korçë, 67 vjeçari humb jetën prej zjarrit në banesë! Me lot në sy komshinjtë tregojnë çfarë ndodhi

 Korçë, 67 vjeçari humb jetën prej zjarrit në banesë! Me lot në sy komshinjtë tregojnë çfarë ndodhi

Një 67 vjeçar ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme teksa në shtëpinë e tij ra zjarri. Ngjarja e trishtë ndodhi në lagjen nr.5 të Korçës, ndërsa i moshuari humbi jetën si pasojë e asfiksisë.

Komshinjtë e tij kanë treguar për median se u mundua të ndihmojnë, por flakët dhe tymi kishin përpirë banesën ku jetonte i vetëm 67 vjeçari.

“Jetonte vetëm, vetë për vetë. Të tërë njerëzit i ka në Greqi. Ishte sëmurë, vetë për vetë. E mbesa e ka marrë në kurriz dhe e ka dërguar në spital, ajo bëri çmos por tani ka ikur në Amerikë. Gjynah shumë. Qeparë e pashë, tek dera. Ai është karshi neve. Ishte mirë…”-tha komshia e 67 vjeçarit, e prekur shumë nga ngjarja e rëndë.

“I pari që e pash (zjarrin) isha unë. Hipa mbi makinë dhe hapa dritaren. Bërtita a ka njeri. Mu përgjigj, por nuk merrej vesh se çfarë po thoshte. Më pas hapa derën e theva dy xhamat e penxheres. U mundova të hyj brenda, por aty ishte e mbuluar gjithçka me tym, s’mund të rrije një sekondë. Më pas erdhi zjarrfikësja e më shumë nuk di çfarë t’ju them”-tha një djalë në moshë të re.

Ndërkohë autoritetet dhanë këtë njoftim mbi rastin.

“Më datë 27.01.2022, rreth orës 20:45, në lagjen nr. 5, ka rënë zjarr në një banesë, ku jetonte përkohësisht shtetasi E.R., rreth 67 vjeç, i cili për pasojë dyshohet se nga asfiksia, ka gjetur vdekjen“.

E duket se të tilla raste tragjike janë shtuar në Shqipëri. Kujtojmë se disa ditë më parë, një tjetër burrë i cili jetonte i vetëm dhe vuante nga probleme të shëndetit, humbi jetën në banesën ku jetonte i vetëm për shkak të zjarrit.