Kronologjia e tragjedisë, çfarë thonë mediat bullgare për faktet e deritanishme dhe shkakun

 Kronologjia e tragjedisë, çfarë thonë mediat bullgare për faktet e deritanishme dhe shkakun

Të gjitha mediat bullgare kanë shkruar në lidhje me aksidentin tragjik ku humbën jetën të paktën 45 persona, ndërsa vetëm 7 arritën t’i shpëtojnë flakëve.

Bgonair (On Air Bulgaria) dha një kronologji të deritanishme për ngjarjen, teksa të dhënat shtohen e ndryshojnë nga minuti në minutë.

Kronologjia

Një tragjedi e madhe”. Kështu e përshkroi kryeministri i Bullgarisë Stefan Yanev aksidentin tragjik me të paktën 45 viktima i cili ndodhi në një fshat pranë Bosnek, në autostradën Struma.

“Le të shpresojmë se do të mësojmë nga ky aksident tragjik dhe do të jemi të aftë të parandalojmë të tilla aksidente në të ardhmen. Po flasim për një tragjedi të madhe”-tha kryeministri.

“Pamjet janë horrifike dhe jo çdokush mund t’i shohë ato në vendin e ngjarjes. Njerëzit janë karbonizuar dhe ende s’mund të themi se cilët janë viktimat. Ato do të duhet të identifikohen”-tha Ministri i Brendshëm Boyko Rashkov.

Hetuesit tashmë kanë nisur punën dhe deri më tani ka të paktën dy variante. Borislav Sarafov, drejtues i NSIS, tha se “mund të ketë dy variante, një gabim njerëzor i shoferit të autobusit ose një keqfunksionim teknik i mjetit që solli në aksident”

Aksidenti ndodhi në orën 2:00 të natës. Kishte 4 autobusë në kollonë, të gjitha në pronë të një agjencie që po transportonin njerëz që kishin qenë në Turqi. Autobusi kishte 52 vetë, mes tyre 12 fëmijë.

“45 njerëz kanë ndërruar jetë, duke përfshirë 12 fëmijë. Nuk mund të themi ekzaktësisht se cilët janë, pasi janë djegur përtej mundësisë për t’i identifikuar.”,tregoi Borislav Sarafov.

Të tjera media bullgare raportuan mendimin e ekspertëve mbi ngjarjen, të ftuar për të komentuar e shpjeguar tragjedinë. Blitz.bg përcolli lajmin nën optikën e ekspertëve, të cilët sollën detaje.

Georgi Iliev, ish hetues i shërbimit kombëtar të hetimit në Bullgari, tregoi për Nova TV se autobusi mund të jetë djegur për afro 5-6 minuta. Ai sqaroi se momenti i flakëve mund të ishte parë nga autobusët e tjerë, por mjeti ku ndodhi tragjedia ishte i fundit në autokolonë dhe në distancë të largët.

Sipas ekspertit i pari që ka ndërruar jetë me siguri do të ketë qenë shoferi, pasi zjarri e ka përfshirë mjetin në pjesën e përparme. Kjo ka bërë që dyert e autobusit të mos hapeshin.

“Ata që kanë mundur të thyejnë xhamat kanë shpëtuar”-shpjegoi Iliev.

Eksperti i rrugëve, Rumen Dunev, vuri në dukje se shumë aksidente me autobusë dhe në orët e vona të natës, ndodhin edhe pasi shoferin e zë gjumi.

“Duhet të shohim e kuptojmë trajektoren me të cilën ka lëvizur autobusi dhe nëse ka patur shenja frenimi. Kjo do të tregojë nëse shoferin e ka zënë gjumi apo jo në timon. Është e rëndësishme të dëgjojmë dhe dëshmitë e të mbijetuarve, pasi ata mund të na tregojnë për momentin e shpërthimit të flakëve”-tha Dunev.

Dunev shtoi se mund të ketë ndodhur dhe një shpërthim i një gome pas goditjes në kthesë.

Bgonair po ashtu përcolli lajmin se në autobus ka qenë një shofer i dytë, por ende nuk dihet nëse ai ka mundur të shpëtojë apo është në mesin e viktimave. Po sipas medias bullgare, është konfirmuar se nuk ka patur bidonë me karburant në automjet, siç u raportua më herët.

Do të priten rezultatet e analizave të ADN-së për të zbuluar saktë identitetin e të gjitha viktimave, thuhet në krye të lajmit, ndërsa autoritetet kanë dhënë të tjera detaje mbi ngjarjen.

Drejtuesi i shërbimit kombëtar të hetimit Borislav Sarafov, ishte në vendngjarje me kolegë nga prokuroria dhe nga Maqedonia e Veriut.

“Me kalimin e orëve, pamja qartësohet edhe më shumë. Ata që i shpëtuan tragjedisë po merren në pyetje. Po ashtu edhe njerëz që u bënë dëshmitarë okularë të aksidenti. Nuk ka asnjë të dhënë se ka patur karburant shtesë në autobus. Ende nuk e dimë se çfarë e ka shkaktuar shpërthimit” tha Sarafov.