“Kur drita na goditi, mund të shihja kockat e duarve të mia” Rrëfimet e veteranëve ‘nuklearë’

 “Kur drita na goditi, mund të shihja kockat e duarve të mia” Rrëfimet e veteranëve ‘nuklearë’

Epoka e shkatërrimit në masë erdhi në shekullin e shkuar, me hedhjen e bombave atomike në Hiroshima e Nagasaki në gusht të vitit 1945. Gjithkush e njeh këtë moment të errët të historisë njerëzore, por jo shumë njohin një tjetër aspekt… edhe më të errët.

Gjatë viteve të Luftës së Ftohtë më shumë se 2 mijë bomba nukleare u testuan nëntokë, në det, në tokë e në ajër. Shumica e testeve u kryen nga dy supërfuqitë e kohës, SHBA-të e Bashkimi Sovjetik.

Por në shumë prej këtyre testimeve, kishte dhe mijëra ushtarakë që morën pjesë në to. Gjithçka u bë në emër të testimit dhe analizimit të pasojave që mund të ketë një luftë e tillë tek ushtria.

Në këtë artikull, do të gjeni pikërisht rrëfimet e disa prej këtyre ish ushtarakëve, të cilët morën pjesë në testime. Më konkretisht testimet që u bënë nga SHBA-të, ku morën pjesë ushtarakë amerikanë e britanikë.

Artikulli u publikua nga Vice, ndërsa mini-dokumentari i mëposhtëm u krijua nga ‘Motherboard’ në vitin 2018. Po sjellim këtë artikull për të treguar se për çfarë shkalle shkatërrimi është i aftë njeriu… me një ‘të shtypur të butonit’.

Rrëfimet e veteranëve

Në mini-dokumentar historinë e tregojnë 6 veteranë nga Britania që përjetuan më shumë se një herë shpërthimin e bombave nukleare. Douglas Hern ishte vetëm 21 vjeçar kur shkoi në oqeanin Indian dhe u bë pjesë e testimit të 5 shpërthimeve nukleare. Njëlloj në moshë të re ishin dhe 5 veteranët e tjerë, David Hemsley, Robert Fleming, George Booker, Ronald Bostwick dhe Peter Barnard.

“Quhem Daglas Hern (Douglas Hern). Kur isha 21 vjeç u dërgova në afërsi të ishullit të Krishtlindjeve në oqeanin Indian dhe pamë 5 shpërthime nukleare. Ishte momenti që përcaktoi jetën time, pikërisht momenti kur pashë shpërthimin e parë nuklear.”

Douglas Hern ne bisede me krijuesin e dokumentarit

“Quhem Dejvid (David Hemsley) dhe në moshën 18 vjeçare më dërguan në një vend testimi për bombat nukleare.”

Foto e shkeputur nga dokumentari

Veteranët tregojnë se kur shkuan në sitin e testimeve, eprorët nuk i treguan detaje apo se përse kishin ardhur.

“Kur shkuam atje, ne nuk dinim asgjë për bombat. Nuk e dinim se çfarë do të bënim, derisa na thanë se ishim atje për testimin e disa bombave.”tha Robert Fleming, veteran.

Robert Fleming/ Foto e shkeputur nga dokumentari

“Neve nuk na tha gjë njeri. S’dinim gjë. E gjatë ditës së testimit po ashtu pak na u tha, vetëm që të mos shihnim direkt dritën pas shpërthimit. Na thonin mos shihni dritën”-tha veterani George Booker.

“Na dërguan në një anije luftarake e quajtur ‘Ëarrior’ (Luftëtari). Na instruktuan që të qëndronim në pjesën e prapme të anijes”-shtoi veterani Ronald Bostwick.

“Na kërkuan që të mbulonim sytë me duart ose me parakrahun. Ashtu bëmë të gjithë.”-tha George Baker.

George Booker/ Foto e shkeputur nga dokumentari

Veteranët tregojnë më pas momentet pak pas shpërthimit të bombave nukleare. Drita e përftuar nga shpërthimi ishte aq e madhe, saqë ushtarët mund të shihnin kockat e tyre, njëlloj sikur para një pajisje me rreze X.

“Të thuash se ishte e frikshme është pak. Shpërthimit na shkundi të gjithëve në heshtje. Kur drita na goditi, mund të shihje kockat e duarve të tuaja”- tregoi Daglas.

Douglas Hern/ Foto e shkeputur nga dokumentari

“Ishte një dritë e jashtëzakonshme. Kurrë nuk kam parë diçka të tillë. Një dritë e bardhë e shkëlqyeshme”-tha Robert Fleming.

Foto e shkeputur nga dokumentari

“Sytë i kisha mbuluar me duar, por kur erdhi drita… mund të shihja çdo kockë të duarve të mia.”– tregoi Ronald.

Ronald Bostwick/ Foto e shkeputur nga dokumentari

“Nëse do të shihje dikë përballë teje, do të mund t’i shihje kockat e madje edhe enët e gjakut”-tha Dejvid.

Pas dritës erdhi vala dhe nxehtësia e shpërthimit.

“Më pas erdhi vala e nxehtësisë. Ajo ngjante sikur një njeri me përmasat e mia, të merrte i gjithi zjarr dhe të kalonte tejpërtej trupit tim. Ishte një eksperiencë absolutisht jashtë kësaj toke.”-tha Daglas Hern.

“Shumë nga ushtarakët çoheshin në këmbë, por për shkak të forcës shpërthyese, pas rreth 30 sekondash fluturonin në ajër. Shumë prej tyre përfunduan me kocka të thyera.”- shtoi Dejvid Hemsley.

Foto e shkeputur nga dokumentari

Veteranët tregojnë se pas kësaj eksperience të frikshme, u instruktuan të çoheshin në këmbë për të parë formimin e ‘kërpudhës’ (krijuar pas shpërthimit të bombës atomike).

“Kur e shihje… ishte aq e stërmadhe. Ishte praktikisht sipër kokës tënde. Ishte e pakonceptueshme, sesi diçka e tillë mund të ekzistonte. Ishte diçka e pamatë.”-tha Daglas Hern.

“Ajo që unë pashë, ishte një top zjarri kolosal. Ky top zjarri po ngrihej lart në qiell e kishte vetëtima, bubullima përreth…Për shumë prej ushtarëve ishte një eksperiencë e tepërt. Disa nisën të qajnë dhe kërkonin mamatë, ishte diçka e tmerrshme”-tha Dejvid Hemsley.

“Ajo që unë vura re ishte se retë e zeza e të kuqe vinin rrotull e rrotull, duke lëvizur si një rreth.”-shoi veterani Peter Barnard.

Peter Bernard/ Foto e shkeputur nga dokumentari

Por këto testime nuk ishin thjesht një eksperiencë që këta ushtarakë kurrë nuk do të mund t’i harronin. Një prej tyre tregon se testimet atje zgjatën për një periudhë 10 vjeçare dhe të pranishëm gjatë kësaj kohe kanë qenë 22 mijë ushtarakë. Pasojat tek këta njerëz kanë qenë katastrofike.

“Në vitin 2013 ne përllogaritëm se 18.500 vetë nga ne ndërruan jetë. Raportet që unë vetë kam parë, askush nuk kishte vdekur nga shkaqe natyrore. Të gjithë kishin vdekur për shkak të leuçemisë, kancereve të ndryshëm, etj.”-tha Daglas Hern.

“Shumë nuk mund të bënin dot fëmijë, shumë krijuan në trup kancer nga më të ndryshmit. Fëmijët e tyre vuajtën po ashtu.”-tha Robert Fleming.

“Kur unë u ktheva në Britani, u martova. Lindëm vajzë në vitet ’60. Kur ajo ishte 11 vjeç, iu shfaq një problem. Në kurriz iu rrit një gungë. Qimet i rriteshin jashtë kontrolli. Ne detyroheshim ta rruanim dy herë në ditë. Papritmas, vajza ndërroi jetë. Vdiq në duart e mia”-tha Daglas Hern.

“Pata kancer në fytyrë. Po ashtu edhe në kurriz. Por gjëja që më shkatërroi plotësisht… nuk mund të bëja dot fëmijë”-tha Dejvid.

Foto e shkeputur nga dokumentari

Po përse këta ushtarakë nuk kanë folur më përpara mbi këto eksperienca të frikshme? Daglas Hern tregon se nuk u lejuan të flasin. Eprorët në ushtri ndaluan këdo që tentoi të fliste, duke u thënë se do të konsiderohej si tradhëti ndaj atdheut (një vepër që dënohej me vite burg ose në rastin më të keq në SHBA, me dënim me vdekje). Shumë prej ushtarakëve nuk i treguan as familjeve të tyre, grave apo fëmijëve. Asnjë prej mijërave ushtarakëve nuk tregoi, deri në fund të viteve ’90.

Në përfundim të dokumentarit, veteranët pyeten se çfarë mesazhi kanë për brezat e rinj, që nuk e njohin e nuk e dinë se çfarë është një bombë atomike.

Foto e shkeputur nga dokumentari

“Epo brezat e rinj nuk ja kanë idenë, apo jo?  Ata as që ja kanë idenë”-tha Peter Barnard.

“Detyra e përgjegjësia tani mbetet tek brezat e rinj. Ata do të zënë vendin tonë në jetë dhe duhet t’i heqin qafe këto armë… kjo sepse brezat e rinj e kanë për detyrë ta bëjnë këtë akt”-tha Geroge Booker.

“Unë mendoj se të rinjtë duhet të mësojnë për ato evente që ne përjetuam”-tha Daglas Hern.