“Ata janë heronj” Momente gëzimi për familjarët e 5 rojeve bregdetare që shpëtuan 57 sirianë

 “Ata janë heronj” Momente gëzimi për familjarët e 5 rojeve bregdetare që shpëtuan 57 sirianë

Baballarë, nëna e familjarë të 5 rojeve bregdetare të arrestuar muaj më parë, shpërthyen në ovacione e gëzim, në momentin kur avokati mbrojtës doli nga gjykata e Vlorës dhe dha lajmin e mirë.

Shumë familjarë brohoritën duke thënë se rojet bregdetare janë heronj e nuk meritonin të arrestoheshin.

Trupa gjykuese i ka dhënë masën e detyrimit të paraqitjes të 5 rojeve bregdetare të anijes ‘Bora 111’-, konkretisht Bledar Bufajt, 38 vjeç, Roland Çanajt, 54 vjeç, Sejfulla Beja, 23 vjeç,  Besmir Meçajt, 26 vjeç dhe Ardit  Alikajt, 34 vjeçar. Të gjithë djemtë janë banues në Vlorë.

“E para e punës, ne ishim përfshirë te kjo masë sigurie. Këta djem ishin heronj dhe kishin shpëtuar jetën e 57 njerëzve. Ishte dhënë një vendim i padrejtë për shpërdorim detyre. Sot gjykata e rrethit Vlorë vuri në vend drejtësinë sepse nuk kishte të bënte fare me shpërdorim detyre. Ishte një operacion humanitar ku 5 djem shpëtuan jetën e 57 emigrantëve”, tha avokati i tyre mbrojtës.

Në janar të këtij viti, një gomone me disa dhjetëra emigrantë sirianë (mes tyre dhe fëmije), u ndalua nga rojet bregdetare teksa po bëhej gati për t’u nisur drejt Italisë. Në atë mbrëmje, kushtet e motit ishin të vështira dhe deti me mbi 5 ballë dallgë. Emigrantët sirianë u përcollën të sigurt, por drejtuesi i skafit arriti të largohej. Të 5-të rojet bregdetare ishin pjesë e operacionit për parandalimin e kontrabandimit dhe u akuzuan për shpërdorim të detyrës pikërisht për lejimin e arratisjes së skafistit (i cili u arrestua më vonë nga policia).